Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla përmes një postimi në Facebook ka bërë një urim me rastin e Vitit të Ri. Nikolla u shpreh se u mbyllën 365 ditë të vitit 2023 në të cilën të gjithë ne u përpoqëm të bëjmë më të mirën dhe hyjmë në një vit të ri plot me sfida.
Nga ana tjetër, ajo shton se viti 2024 nis me një lajm të bukur, pasi qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin të lirë pa viza brenda familjes europiane.
Sakaq, ajo e përfundon urimin duke u shprehur se ky do të jetë një vit ku frymëzimi për të dhe parlamentin do të jenë puna dhe përkushtimi i të gjithë qytetarëve.
Urimi i kryeparlamentares Lindita Nikolla:
Ndërsa mblidhemi bashkë e përgatitemi për të festuar, ju uroj të gjithë shqiptarëve një Vit të Ri 2024 me shëndet e gëzime!
Pas treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditësh rrugëtimi, gjatë të cilave secili prej nesh u përpoq të bëjë më të mirën, po hyjmë në një vit plot sfida, drejt ditëve më të mira.
Viti i Ri fillon me një lajm të bukur për qytetarët e Kosovës: lëvizjen e lirë pa viza drejt zonës Schengen, një hap drejt familjes evropiane.
Gjatë vitit 2024 puna, përkushtimi, sakrificat dhe dinjiteti i qytetarëve do të jenë frymëzimi për ne që kemi privilegjin t’u shërbejmë atyre në detyrat publike.
Me dashurinë që na ka mbajtur dhe do të na mbajë të bashkuar, për familjet tona dhe për Shqipërinë tonë të dashur, e cila pret kontributin e përkushtimin e të gjithëve ne,
Gëzuar!