Kryepeshkopi Anastas Janullatos do të dërgohet për mjekim në Athinë. Lajmi bëhet me dije nga media greke ‘Protothema’, që shkruan se gjendja shëndetësore e Janullatosit, 95 vjeç, është rënduar por në kontroll. Prej datës 30 dhjetor, Janullatos është i shtruar në një spital privat. Mediat greke thone se gjendja e Janullatos është në kontroll, por po dërgohet për kontrolle mjekësore pasi ka pësuar një hemorragji në stomak.
Për këtë arsye, u gjykua e domosdoshme transportimi i tij në Athinë, me një avion të Forcave Ajrore. Transportimin e tij do ta kryejë një ekip i posaçëm mjekësor i EKAV-it (Shërbimi Kombëtar i Ndihmës së Shpejtë në Greqi).
Kujtojmë se Kryepeshkopi ishte shtruar në një spital në Shqipëri prej 30 dhjetorit 2024, kur u bë e ditur se ai ishte prekur nga një virozë sezonale.
“Fortlumturia e tij, Kryepeshkopi i Shqipërisë, z. Anastas, u shtrua në spital pas shfaqjes së një viroze sezonale, në mënyrë që të jetë nën vëzhgimin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore është plotësisht e qëndrueshme dhe mjekët, të cilët po kujdesen për të, janë optimistë”, njofton Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.
Anastas Janullatos, i ka shërbyer Kishës Ortodokse të Shqipërisë që prej vitit 1991.