Kanë qenë këto disa nga fjalët e kryedemokratit Lulzim Basha, pas përfundimit të Kuvendit Kombëtar të PD-së.
Në një postim në Facebook, Basha shkruan se pa qëndresën e anëtarëve dhe drejtuesve deri te kryesia e partisë, demokratët nuk do mund të ishin në shërbimin e njerëzve dhe për rritjen e mirëqenies.
Ai shkruan se sot ka nisur ndërtimi i një PD-je moderne, që i përket qytetarëve dhe anëtarëve dhe jo kryetarit.
“Pa qëndresën e anëtarëve dhe drejtuesve nga seksioni deri te kryesia e PD-së ne nuk do të ishim sot këtu për të ndërtuar të ardhmen, që t’ju shërbejmë njerëzve, që të hapen vende pune për të rinjtë tanë, që të rriten të ardhurat për familjet shqiptare, që ato të kenë arsim dhe shëndetësi më të mirë.
Për këtë nisim sot të ndërtojmë Partinë Demokratike moderne, partinë e qytetarëve dhe anëtarëve dhe jo partinë e kryetarit. Sepse kryetarët ikin e vijnë, por demokratët dhe Partia Demokratike do të jetë aty për të luftuar vetëm për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve! Mirënjohje për secilin prej tyre”, ka shkruar Basha në Facebook.
Në Kuvend Basha deklaroi se PD do t’i sigurojë një mbështetje të plotë SPAK-ut për të ndëshkuar korrupsionin e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. Kuvendi vjen si një përpjekje për riorganizimin e Partisë Demokratike.
Vetë kryedemokrati, i rizgjedhur më 29 korrik, u bë Kreu i Grupit Parlamentar duke zëvendësuar Gazment Bardhin, pas miratimit të Nenit 48. As logoja e njohur e këtyre viteve nuk do të jetë më, pasi Kuvendi riktheu atë të vitit 1990.
Kanë qenë të pranishëm 4254 delegatë nga 5715 delegatë që janë gjithsej.
(Xh.H/FaxWeb.al)