Vendimi për mosfillim hetimesh i dalë dy herë brenda pak ditëve, ka sjellë shqetësime në prokurorinë e Lezhës. Bëhet fjalë për një kallëzim penal të bërë nga kryetarja e Gjykatës së Lezhës, Ornela Naqellari ndaj kancelares të këtij institucioni për shpërdorim detyre.
Pasi u bënë disa verifikime, prokuroria ka vendosur që mos të ketë procedim penal ndaj kancelares pasi nuk ishte gjetur ndonjë element që tregon se është kryer një vepër penale.
Vendimi u dërgua palëve, por diçka e paprecedentë ndodhi kur i njëjti vendim ka dalë sërish i vulosur nga prokuroria pa dijeninë e prokurorit të çështjes. Menjëherë sapo ky falsifikim është gjetur, kanë nisur hetimet sepse dyshohet që këto veprime në shkelje të ligjit të jenë bërë në bashkëpunim. Ky falsifikim dyshohet të jetë bërë për faktin se vendimit të parë i kishte kaluar afati për ankimim në Gjykatë.
Organi i akuzës ka regjistruar procedim penal për veprën penale “Falsifikim dokumentash” dhe hetimet po drejtohen nga prokurori Sabri Kastrati.
Prokurori ka marre në pyetje punonjës të prokurorisë dhe gjykatës, pasi ka dyshimet se keto veprime në shkelje te ligjit janë bërë në bashkëpunim, me qëllim që ti jepet mundësia kryegjyqtares së Lezhës Ornela Naqellari, që të bëjë ankimin kundër vendimit të prokurorisë për mos fillimin e procedimit penal, ndaj kancelares së Gjykatës.
Përsa i përket identifikimit të personave përgjegjës, prokuroria nuk ka arritur ende të bëjë veprimet e duhura për t’i vënë para përgjegjësisë. Dalja e vendimit të dytë nga prokuroria i ka dhënë afatet e nevojshme kryetares së Gjykatës së Lezhës Ornela Naqellari që të ankimojë vendimin e prokurorise për mos fillimin e hetimeve, ndaj kancelares dhe çështja eshte regjistruar dhe pritet të shqyrtohet në Gjykaten e Lezhës.