Kryetari i bashkisë Erion Veliaj ka komentuar sërish sot kthimin e ligjit nga Presidenti Ilir Meta për Teatrin Kombëtar. Veliaj u shpreh se në shtator projektligji do të miratohet sërish nga Parlamenti.
“Do të presim me durim këto 40 ditë, teksa Parlamenti të mblidhet sërish për të kaluar Teatrin e ri. Unë besoj se shumica dërrmuese, jo vetëm e aktorëve dhe e tiranasve, por shumica dërrmuese e qytetarëve nga Kamza, nga Shkodra, që panë atë karikaturë të djeshme, duan që në fakt Kamza të bëhet si Tirana dhe jo Tirana si Kamza; duan që Shkodra të bëhet si Tirana dhe jo anasjelltas.
Ndaj, besoj se Tirana nuk ka nevojë të marrë leksione nga ata që janë të mbytur në ujë dhe nga ata që janë të mbytur në plehra. Tirana ka nevojë që të vazhdojë të bëjë ato punë të mira që ka bërë. Në fund të vitit do kthehemi këtu e do gjejmë një tjetër kënd lojërash të transformuar, e do themi: Sa mirë që nuk humbëm kohë! Ne vërtet po humbasim 40 ditë kohë, por ama do ta rikuperojmë edhe kohën e humbur. Në një qytet që ka humbur vite të tëra, çdo ditë është e çmuar dhe për këtë kemi keqardhje, por ama do ta rikuperojmë me shumë guxim. tha ndër të tjera Veliaj.
Discussion about this post