Duket se bregdeti i jugut ka qenë destinacioni më i pëlqyer i kësaj vere për politikanët shqiptar. Ka dhe nga ata që kanë preferuar të bëjnë plane mix për të pushuar mes malit dhe detit.
Në një rrëfim për “Gazeta Shqiptare”, veç bukurive që ofron natyra, deti dhe gjithë resurset,ata kanë vënë në pah dhe disa nga problematikat që i kanë shqetësuar në këto ditë të nxehta.
Bëhet fjalë për çmimet stratosferike, infranstrukturën dhe papastërtitë në det. Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri theksoi çështjen e papastërive në gjithë bregdetin e jugut, shërbimin që sipas saj lë për të dëshiruar dhe çmimet e larta duke filluar që nga gjërat më minimale që duhen gjatë pushimeve.
Për Evis Kushin kjo verë ka qenë aktive. Deputetja e Partisë Socialiste na tregoi për bukuritë e Himarës, diversitetin e natyrës ndërsa u shpreh se shërbimet turistike kanë nevojë për përmirësime.Ndërkaq Kushi tha se është entuziaste sa i përket turistëve të huaj që po e vizitojnë Shqipërinë. Mimoza Hajdarmataj ka zgjedhur të pushoj në mal dhe në det.
Demokratja tha se ngelet problematike çështja e infrastrukturës,pasi akse të tëra janë pa ndriçim. Sipas saj:”Zoti ka bërë mrekulli me natyrën e vendit tonë, por njeriu dhe politika me lakmitë e veta, po e prishin çdo ditë.”
Orjola Pampuri
Ku po i kaloni pushimet?
Këtë vit së bashku me familjen po pushojmë në bregdetin e jugut. Kemi preferuar të lëvizmin sa në një vend në tjetrin. Ajo që vihet re është paspastërtia e madhe në det, ku kalojnë dhe derdhen ndër të tjera ujërat e zeza. Ksamili, Drimadhi, Vlora, Saranda e kanë patur ujin kristal po tani nuk njihen më si të tilla. Kemi preferuar që të vizitojmë gjithë rivierën e jugut ndryshe nga vitet e tjera që kemi pushuar jashtë(Greqi, Turqi etj).
Si janë çmimet?
Sa i përket çmimeve , janë stratosferike, duke filluar nga shezlongët për të vazhduar pastaj te restorantet apo akomodimi . Miqtë tanë italianë që na vizituan këtë verë na pohuan po të njëjtën gjë për çmimet. Në njëfarë mënyre u kënaqën me pjesën e bregdetit por ngelën të habitur me pjesën e të shpenzuarit. Italia që është vend i madh ka si i përballon çmimet “e kripura”, pasi ka të ardhura të larta. Është shumë e vështirë që kjo të ndodhin këtu te ne , në një familje me të ardhura mesatare. Le të themi është e papërballueshme dhe shërbimi lë gjithmonë e më shumë për të dëshiruar.
Po infrastruktura?
E vetmja gjë që do e konsideroja pozitive është pjesa e infrastrukturës. Nga Vlora deri në Sarandë udhëtimi ka qenë i qetë e jemi ndjerë mirë pastaj pjesa tjetër ngelet për t’u parë. Ditët e fundit kemi dëgjuar për mbytje të pushuesve në Ksamil. Çështja e sigurisë është po ashtu problematike. Në këtë mënyrë jemi ne ata që po i largojmë turistët. Të ndikuar nga publiciteti, fotot , videot dhe gjithçka tjetër promovuese për brigjet tona ata zgjedhin Shqipërinë për të pushuar. Këtu përballen me një tjetër realitet dhe kjo është tepër zhgenjyese. Kjo do na kushtoj shumë. Me gjithë problematikat që përmenda pushimet kthehen në momente stresuese.
Për t’ju rikthyer dhe një herë pushimeve, zgjodhëm Shqipërinë që të jemi më afër ,nëse larg qoftë ndodh diçka e papritur , por edhe se këtë verë pushimet kanë qenë më pak se vitet e kaluara. Që të kesh energji positive për t’u përballur me impenjimet e një vit të gjatë duhet patjetër të bësh pushime të mira. Këto pushime jam zhgënjyer nga gjendja e bregdetit të jugut.
Evis Kushi
Ku po i kaloni pushimet?
Këtë verë kam preferuar të mos qëndroj gjatë gjithë periudhës së pushimeve vetëm në një vend por kam dashur të shëtis dhe vizitoj zona dhe destinacione të ndryshme përgjatë gjithë bregdetit. Natyrisht perla më absolute mbi gjithë të tjerat mbetet jugu i Shqipërisë, ku këtë vit mbeta shumë e impresionuar veçanërisht nga Himara dhe Llamani. Përveç bukurive të rralla natyrore atje, janë bërë edhe shumë investime në infrastrukturë por edhe është përmirësuar ndjeshëm shërbimi nëpër hotele dhe restorante.
Si janë çmimet?
Është pozitiv fakti që tashmë ka edhe më shumë zgjedhje përsa i takon cilësisë dhe çmimeve, ku çdo pushues mund të gjejë veten në varësi të preferencave, të të ardhurave apo të shumës që dëshiron të shpenzojë. Gjithashtu një tjetër destinacion turistik që unë personalisht e preferoj shumë është Pogradeci, ku çdo vit shkoj të paktën një fundjavë bashkë me familjen. Më pëlqen shumë liqeni, klima e freskët, qyteti dhe traditat e tij në shumë fusha po sidomos në gatimin e koranit shumë të shijshëm dhe të veçantë. Ndërkohë këtë fundjavë kam planifikuar të shkoj në Spille, i cili është një tjetër destinacion turistik që besoj se duhet vlerësuar nga pushuesit, sepse vërtetë vitet e fundit janë bërë shumë investime në infrastrukturë dhe shërbime turistike. Këto investime bashkë me detin e ngrohtë, rërën e mrekullueshme dhe pyllin e freskët me pisha ofrojnë një relaks të padiskutueshëm dhe argëtim për të gjitha moshat.
Po infrastruktura?
Natyrisht që gjithmonë ka nevojë për më shumë investime në infrastrukturë dhe përmirësime në shërbimet turistike, por ndjehem shumë mirë që këtë vit ka patur shumë më tepër interes nga turistët e huaj të cilët po e vlerësojnë Shqipërinë gjithnjë e më shumë për diversitetin në bukuritë e rralla natyrore, traditat e pasura dhe mikpritjen.
Mimoza Hajdarmataj
Ku po i kaloni pushimet ?
Familjarisht pothuajse çdo verë bëjmë një plan mix pushimesh mes malit dhe detit. Edhe këtë verë pushimrt më së shumti po i kalojmë në Shëngjin dhe në shtëpinë tonë në fshatin Zherk Tropojë, gati si në bjeshkë. Një ndërthurje shumë e bukur, e dobishme dhe e shëndetshme klime. Zgjedh këto dy destinacione, sepse ndihem mirë kur pushoj në vendin tim dhe mes njerëzve të mi.
Nëse mund të quhen pushime nuk mungon dhe ndonjë ndalesë e shpejtë Europë tek të afërmit e mi dhe tim shoqi.
Presim dhe shoqërojmë me zell, të afërm që kanë emigruar prej vitesh por vinë me fëmijët për të kakuar edhe ata pushimet në Shqipëri.
Valbona mbetet destinacioni i preferuar për ta dhe unë jam kthyer tashmë në rolin e guidierit, rol që e bëj me qef të madh.
Si janë çmimet?
Deri diku të përshtatshme, jo abuzive.
Por është trishtuese kur mendon se 70% e familjeve shqiptare sidomos në Veri, me këtë varfëri dhe mjerim të gjatë që po jetojnë, i konsiderojnë pushimet një realitet të paaritshëm.
Nga ana tjetër, mendoj se problem mbetet në të gjithë Shqipërinë, cilësia e shërbimeve si nga hoteleritë dhe kuzhina. Pronarëve që ofrojnë shërbime të tilla u vështirësohet puna edhe nga mungesa e shërbimeve të shtetit. Psh kush ka vizituar Valbonën këtë sezon është çuditur se si mund të ketë mungesë të energjisë elektrike pikërisht aty, në vendin që furnizon gjithë vendin me energji.
Asaj perle natyrore nuk i shkon hiç oshëtima e gjeneratorëve.
Po ashtu mungon dukshëm shërbimi mjeksor në zonat turistike.
Po infranstruktura?
E lodhshme por mbi të gjitha e pasigurtë dhe këtë e vërteton bilanci i dhimbshëm i ngjarjeve të kësaj vere me humbje jetësh njerëzore dhe orët e zgjatura që duhet të kalosh prej trafikut të superngarkuar. Rrugët pa ndricim dhe pa sinjalistikën e duhur. Nuk sheh një punëtor apo makineri të mirëmbajtjes së rrugëve në terren( siç duket punojnë vetëm në vjeshtë dhe dimër).
Mos flasim pastaj për akse të tëra të braktisura, në zona me resurse të jashtëzakonshme. Rama e cilëson Veriun magjik, por vetëm në fb dhe për batuta siç duket pasi asnjë km rrugë nuk ka shtruar deri tani.
Psh është e patolerueshme që rruga e Komanit që mundësojnë ardhjen e qindra dhe mijëra pushuesve nga vendi dhe jashtë janë lënë në mëshirë të fatit.
Zoti ka bërë mrekulli me natyrën e vendit tonë, por njeriu dhe politika me lakmitë e veta, po e prishin çdo ditë./Gsh