Ambasada e Rusisë në Tiranë ka reaguar ndaj projektrezolutës “kundër ndërhyrjeve të jashtme” që pritet të miratohet në seancën e sotme parlamentare.
Deklarata e ambasadës “kërcënon” se qëndrime të tilla nuk do të kalojnë pa u vënë re në Moskë, ndërsa shton se është hera e disatë që ky shtet lakohet për ndërhyrje, edhe pse nuk ka asnjëlloj prove.
DEKLARATA E PLOTË:
Koment i Ambasadës në lidhje me votim në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë për projekt-rezolutën «Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare»
U njohëm me projekt-rezolutën e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë «Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare». Rusia përmendet sërish. Për më tepër, për fat të keq, është kthyer tashmë në traditë që Rusia përmendet pa patur edhe provën më të vogël.
Me sa duket, tendenca për plagjiaturë u përhap “si një virus” tek autorët e saj, të cilët ndoqën rrugën e copy-paste. Kuptohet, ata do të duhet t’u paguajnë honorarë krijuesve të rezolutës së cituar kaq shpesh të Parlamentit Evropian.
Është e qartë se Shqiperia po përballet me «tentativa nga aktorë të huaj (…) për të ndikuar në vendim-marrjen në Shqipëri apo për të ushtruar presion mbi vlerat demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut…” (pika а) preambul i dokumentit). Po ç’hyn këtu Rusia?
Autorët e projektit nuk mund të mos e kuptojnë që “rezoluta” të tilla nuk do të kalojnë pa u vënë re në Rusi. Sulmet e pajustifikuara dhe të pabazuara ndaj një prej anëtarëve aktivë dhe me të drejta të plota të OSBE-së, kryesinë e së cilës pritet të marrë Shqipëria në vitin 2020, aq më tepër, shkojnë në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e kësaj organizate, të cilët konsistojnë në të punuarit së bashku në emër të sigurisë dhe bashkëpunimit në kontinentin Evropian.
Discussion about this post