Nga Elez Biberaj*
Shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovën Lindore me të drejtë duhet të jenë krenarë për arritjet e tyre kombëtare, politike, ekonomike dhe sociale në dekadat e fundit. Megjithatë, ky përparim po rrezikohet nga prirjet negative politike, shoqërore dhe ekonomike, të cilat dëmtojnë krijimin e një shoqërie të begatë dhe demokratike. Shoqëritë shqiptare vuajnë nga një polarizim i rrezikshëm politik, nga qeverisje të dobëta, korrupsion i përhapur thellë dhe mungesë e zërave të besueshëm për kompromis dhe moderim.
Njëzet vjet pas çlirimit, Kosova ka arritur përparime të shumta, por mbetet një shtet i brishtë. Negociatat me Serbinë duket se dominojnë gjithshka në Prishtinë, duke e bërë të vështirë që udhëheqja të përqëndrohet seriozisht në çështjet e ngutshme të brendshme. Kohët e fundit, pozita e Kosovës është dëmtuar nga hapat e gabuar të Prishtinës dhe nga grindjet e shumta brenda udhëheqjes.
Mungesa e konsensusit mbi çështjet themelore, si negociatat me Serbinë, kanë dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe kanë krijuar pakënaqësi mes mbështetësve më të fuqishëm të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Këto dëme, që Kosova ia ka shkaktuar vetë vetes, janë rezultat i dështimit të aktorëve kryesorë për të bashkëpunuar në hartimin dhe zbatimin e politikave të përbashkëta.
Presidenti Hashim Thaçi dukej i bindur se mund të arrinte një marrëveshje me homologun e tij serb për një “korrigjim kufijsh,” në shkëmbim të njohjes së Kosovës nga Beogradi. Plani i tij ka hasur në kundërshtime të ashpëra, pasi ai nuk arriti të angazhojë aktorët e tjerë kryesorë, veçanërisht Kryeministrin Ramush Haradinaj, ose të sigurojë mbështetjen e publikut për shkëmbim territoresh. Kjo shkaktoi probleme serioze brenda elitës politike dhe ka dëmtuar pozitën e Kosovës në negociatat e ardhshme me Serbinë. Shprehja publike e mosmarrëveshjeve politike në Prishtinë për këtë çështje, u dha municion atyre që vënë në dyshim vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës – dhe kjo në një kohë ndryshimesh të rëndësishme në mjedisin politik ndërkombëtar, shumica në favor të Serbisë.
Vazhdimi i ngërçit politik, marrëdhëniet jo-funksionale mes aktorëve kryesorë dhe paraliza e procesit vendim-marrës, mund të çojnë në një rënie të vazhdueshme të Kosovës si brenda edhe jashtë vendit. Udhëheqësit e Kosovës duhet të gjejnë mënyrat për të kapërcyer ndarjet politike dhe për të përcaktuar rrugën drejt së ardhmes. Do të bënin gabim të madh në se binin në vetë-kënaqësi dhe në se e marrin si të mirëqënë angazhimin e Amerikës. Dhe shqiptaro-amerikanët nuk mund të mbyllin sytë ndaj veprimeve që mund të dëmtonin marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara.
Shqipëria, nga ana e saj, po përballet me problemet më serioze, që pas situatës shkatërrimtare të vitit 1997 – gjendja politike po përkeqësohet, vendi po përjeton praktikisht zhbërjen e sistemit të kontrollit dhe balancave, dhe gjyqësori duket i paralizuar. Institucionet, që shërbejnë si themeli ku mbështet një proces vendim-marrës racional, gjithëpërfshirës dhe demokratik, janë të dobta. Polarizimi është tejet i thellë, mungon qendra politike, ç’ka e bën kompromisin shumë të vështirë.
Shqipëria e gjen veten në pozitën e palakmueshme të të qënit një nga vendet më të varfëra dhe më të korruptuara të Evropës. Megjithëse Shqipëria ka patur mesatarisht një rritje vjetore prej 4 për qind të PBB-së, një e treta e popullsisë ende jeton në varfëri të skajshme, duke mbijetuar me më pak se një dollar në ditë. Shumë shqiptarë besojnë se sistemi i tanishëm funksionon kundër tyre. Ata kanë humbur shpresën dhe shohin pak mundësi për të ndikuar në të ardhmen e vendit të tyre. Sipas sondazheve të fundit të firmës Gallup, rreth 60 për qind e shqiptarëve dëshirojnë të emigrojnë. Që nga fillimi i viteve 1990, më shumë se një milion e gjysmë shqiptarë kanë emigruar, ku dominon grup-mosha 20-40 vjeç. Popullsia e Shqipërisë sot vlerësohet të jetë 2.9 milion – e njëjtë si në vitin 1989 – dhe brenda tridhjetë viteve të ardhshme pritet të bjerë në 2.6 milion.
Pas fitores me një shumicë dërmuese në zgjedhjet e vitit 2017, Kryeministri Edi Rama qeveris i pasfiduar. Por sundimi i tij është dëmtuar nga qeverisja e dobët, korrupsioni i përhapur thellë, keqadministrimi ekonomik, dhe stili i tij i udhëheqjes ka krijuar shumë kundërshtarë.
Siç ka ndodhur edhe me disa udhëheqes të tjërë europiano-lindorë, Rama është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent. Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën. Rama ka krijuar një model qeverisjeje që bazohet tek kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë. Marrëdhëniet klienteliste mes zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve të njohur kanë deformuar procesin vendimmarrës të qeverisë, duke shkelur rregullat bazë të lojës, duke prishur konkurrencën në treg dhe duke u hequr qytetarëve të zakonshëm çdo mjet përmes së cilit ata do të mund të ndikonin në sjelljen e ndryshimeve.
Shtypi është bërë më pak i lirë dhe i pavarur. Kryeministri ka sfiduar në mënyrë të vazhdueshme vetë parimin e një shtypi të pavarur, duke krijuar median e tij televizive në internet, ERTV. Ai i ka goditur në mënyrë të vazhdueshme mediat, duke përdorur një retorikë gjithnjë e më agresive dhe kërcënuese dhe duke i karakterizuar ato si “kazan.” Sulmet e tij të fundit ndaj Zërit të Amerikës pas transmetimit të një raporti mbi bashkëpunimin mes zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe grupeve të krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, ishin jashtëzakonisht befasuese në ashpërsinë e tyre.
Shumë gazetarë, të pambrojtur ndaj trysnisë politike dhe ekonomike, praktikojnë auto-censurën dhe shmangin mbulimin e temave tabu. Është shqetësuese që në vitin 2019, shqiptarët duhet të mbështeten tek mediat ndërkombëtare, përfshirë Zërin e Amerikës, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme.
Rama ka refuzuar të dënojë rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve që tregojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Pa as më të voglin shqetësim, ai u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave.
Raporti i Departamentit të Shtetit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve për vitin 2019, botuar në mars, e identifikon Shqipërinë si një vend tranzit kyç për shpërndarjen e narkotikëve dhe “një bazë operacionesh për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.” Raporti e rendit Shqipërinë si një vend ku kryhet pastrim i madh parash duke shtuar se “korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe ushqen një mjedis në të cilin trafikantët e drogës përgjithësisht janë në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar.” Raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje se reformat e drejtësisë janë dëmtuar nga “korrupsioni i përhapur.”
Në këtë kontekst, opozita e drejtuar nga Partia Demokratike vendosi në muajin shkurt (2019) të largohej nga parlamenti. Ky hap i paprecedentë e futi Shqipërinë në një gjendje tensionesh të shtuara, që rrezikon shpërthimin e dhunës, shkatërrimin e qeverisjes dhe shtyrjen e integrimit në BE. Rama nuk i ka pranuar kërkesat e udhëheqësit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për të dhënë dorëheqjen dhe për të krijuar një qeveri teknike, duke i cilësuar ato si thjesht përpjekje për të marrë pushtetin në tavolinë. Megjithë urgjencën e situatës, Kryeministri nuk ka bërë përpjekje serioze për të hyrë në dialog me opozitën.
Nuk ka dyshim që një numër i madh i ankesave të Partisë Demokratike dhe partive të tjera të opozitës janë të ligjshme. Por, duke u larguar nga parlamenti, deputetet e opozitës thjesht kanë braktisur përgjegjësitë e tyre ndaj elektoratit dhe ia kanë bërë më të lehtë Kryeministrit Rama të marrë masa më autoritare. Ndoshta Basha mund të kishte ndjekur një politikë të dyfishtë: të qëndronte në parlament duke kundërshtuar qeverisjen dhe pushtetin e Ramës, ndërsa në të njëjtën kohë të mobilizonte mbështetjen për protesta mbarëkombëtare, të hartonte një platformë alternative dhe të punonte për ta pozicionuar partinë e tij sa më mirë për të fituar zgjedhjet e ardhshme vendore dhe parlamentare. Ndërsa zgjedhjet në Shqipëri përgjithësisht kanë qenë problematike, ato ofrojnë mundësinë më të mirë dhe më realiste për opozitën që të vijë në pushtet.
Basha e mori këtë vendim tejet të rëndësishëm pa zhvilluar një debat të vërtetë dhe të sinqertë rreth pasojave dhe rreziqeve të mundshme të një kursi të tillë dhe pa ndonjë përpjekje serioze për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare. Pak anëtarë të Partisë Demokratike kishin kurajon dhe mundësinë për të vënë në dyshim argumentat e supozuar mbi të cilat u mor vendimi. Siç pritej, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën mbështetje për qeverinë dhe kritikuan opozitën.
Ndërsa Basha ka qenë në gjendje të organizojë protesta të mëdha në Tiranë, nuk është e qartë se deri në çfarë mase mesazhi i opozitës është pranuar nga popullsia. Presioni publik nuk ka arritur përmasat e një mbështetjeje kritike nga masat, për ta detyruar Ramën të japë dorëheqjen, ose të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin e tij. Shoqëria në përgjithësi duket e zhgënjyer dhe gjithnjë e më shumë e painteresuar për politikën dhe nuk ka dëshmuar gatishmëri të veprojë. Pavarësisht nga pakënaqësia në rritje me politikat e qeverisë, qytetarët kanë shfaqur pak entuziazëm për aktivizim shoqëror, ç’ka do të sillte ndryshimet e shumë-dëshiruara, me sa duket të bindur se nuk mund të ndikojnë mbi sistemin politik. Nuk është e qartë nëse Basha ka një strategji për të zgjeruar bazën e partisë dhe për të angazhuar shoqërinë civile, ç’ka do t’i ndihmonte opozitës të vazhdonte protestat dhe të bindte Ramën për kompromis. Ekziston një hendek i madh midis mjeteve në dispozicion dhe synimeve të Bashës. Mungesa e një strategjie dhe forca e pushtetit të Ramës mund të çojë në humbjen e mbështetjes për Bashën dhe copëzimin e bllokut opozitar.
Rama duket se nuk është plotësisht i ndërgjegjshëm se sa të mëdha janë sfidat me të cilat ballafaqohet vendi i tij dhe po mban një qëndrim të pakompromis. Kritikat e komunitetit ndërkombëtar për vendimin e Bashës dhe ngurrimi për të shqyrtuar seriozisht politikat dhe veprimet e qeverisë, e kanë inkurajuar Ramën, duke i shtuar besimin në forcimin e kontrollit të pushtetit. Strategjia e tij ka qenë të pasqyrojë një ndjenjë normaliteti dhe të kalojë në ofensivë me tubimet e tij, duke shpresuar se me kalimin e kohës mbështetja për opozitën do të zbehet.
Kjo është një politikë dritë-shkurtër. Sa më shumë të zgjatet kriza, aq më i madh është rreziku që Shqipëria të përballet me një situatë shpërthyese.
Shqiptarët sot duken se e kanë humbur busullën dhe nuk kanë një vizion të qartë për të ardhmen. Ata kanë humbur besimin tek udhëheqësit e tyre dhe tek vetvetja. Shqiptarët do të pësojnë zbrapsje të tjera, në se nuk marrin vendime kritike dhe nuk hartojnë strategji, që jo vetëm do të ndryshonin kursin e tanishëm të ecjes mbrapsht, por do ta vinin vendin e tyre në rrugë të qartë drejt demokratizimit.
Gjatë krizave të kaluara udhëheqësit shqiptarë kanë arritur minutën e fundit dhe në mënyrë të papritur, marrëveshje sa për të kapërcyer situatën. Ndërsa ka një thyerje të thellë të besimit dhe komunikimit mes qeverisë dhe opozitës, kompromisi është ende i mundshëm për t’i dhënë fund ciklit të përshkallëëzimit, që është jetik për të ruajtur kohezionin shoqëror të kombit. Por kjo kërkon vullnet politik nga të dyja palët për të çtensionuar konfliktin dhe për t’u tërhequr nga kërkesat maksimale. Deri tani vullneti politik ka munguar dhe situata aktuale lehtësisht mund të shndërrohet në një ngërç të gjatë.
Gjithsesi, nëse udhëheqësit shqiptarë nuk bëjnë përpjekje serioze për kompromis, Shqipëria mund të hyjë në një situatë pa rrugëdalje. Prova e pare do të jenë zgjedhjet vendore, të planifikuara për në qershor. Është në interesin e të dyja palëve që opozita të marrë pjesë në zgjedhje. Në se Basha i bojkoton zgjedhjet, opozita do t’u mohonte mbështetësve të saj të drejtën e përfaqësimit dhe do të rrezikonte të margjinalizohej gjithnjë e më shumë. Nga ana tjetër, do të ishte një politikë dritëshkurtër për Ramën të hynte në zgjedhje pa opozitën, ose të përpiqej të krijonte opozitën e tij për të zëvendësuar opozitën e vërtetë.
Kriza e tanishme është shkaktuar nga vetë udhëheqësit shqiptarë. Ata mbajnë përgjegjësi para kombit për të gjetur rrugët për të ulur konfliktin dhe për të ndryshuar trajektoren e vendit para se Shqipëria të rrëshqasë në një krizë mbarë-kombëtare, me një potencial të madh të një konflikti civil. Kriza mund të zgjidhet me një marrëveshje për zgjedhjet vendore, e pasuar nga ndryshimet në kodin zgjedhor dhe një marrëveshje për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Është bërë e domosdoshme që ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të rishikohen me synimin për të forcuar institucionet e pavarura dhe për të fuqizuar parlamentin. Ligji i tanishëm elektoral, që ka çuar në krijimin e një distance të rrezikshme midis votuesve dhe përfaqësuesve të zgjedhur, duhet të ndryshohet. Ekziston një konsensus në rritje se Shqipëria duhet të kthehet në një sistem zgjedhir të përzier ose mazhoritar dhe të largohet nga sistemi i tanishëm proporcional.
Por në fund të fundit, çdo marrëveshje, në mungesë të një ndryshimi tërrësor dhe reformave të vërteta e thelbësore, nuk do të çonte në një shkëputje të qartë dhe nuk do të rigjallëronte sistemin politik të vendit. Shqipëria ka nevojë urgjente për një rifillim, për një pakt kombëtar – një marrëveshje për synimet e përbashkëta kombëtare dhe për parimet e një qeverisjeje të mirë – që do të ribënte sistemin politik të vendit.
Faza e ardhshme do të jetë përcaktuese në se Shqipëria do të shndërrohet në një demokraci të konsoliduar, ose në një sistem pro-autoritar, me drejtim një partiak. Elitat e tanishme, që kanë dominuar jetën politike të vendit që nga fillimi i viteve 1990, janë përgjegjëse pse Shqipëria ka mbetur pas. Politikanët e sotëm nuk mund te shikohen më si udhërrëfyes – atyre iu janë shtërruar idete. Ata nuk kanë çfarë të ofrojnë më shumë dhe nuk mund të shërbejnë si katalizatorë për ndryshime thelbësore. Le të shpresojmë që tre dekada pas përmbysjes së komunizmit, shoqëria shqiptare është në gjendje të prodhojë pishtarë të rinjë që do të zotërojnë aftësitë drejtuese që kërkon e ardhmja e kombit tone.
Elez Biberaj, Drejtor i Djetorisë së Euroazisë, Zëri i Amerikës