Rreth 90 familje të 3 godinave sociale në Vlorë jetojnë në kushte skandaloze. Pavarësisht se ata i paguajnë Bashkisë Vlorë një kuotë të caktuar për jetesën aty, askush nuk vjen dhe të kujdeset për gjendjen e komunitetit.
Banorët jetojnë të zhytur në varfëri dhe në kushte higjenike jo të përshtatëshme, me mungesën e ujit dhe të energjisë elektrike. Dhe sikur të mos mjaftonin këto, disa prej tyre të cilët merrnin një ndihmë sociale nga Bashkia u është ndërprerë kjo ndihmë.
Në datën 15 Mars në Vlorë është mbyllur lista zyrtare për rreth 250 familje që do të përfitonin nga ndihma ekonomike, listë pjesë e së cilës, siç dihet tashmë, kishte punonjës administrate, punonjës të Bashkisë Vlorë apo edhe drejtues politikë në Vlorë, nuk ka përfshirë në të këto familje që janë në nevojë.
Për gazetaren e Fax News Afrovita Hysaj, për të na treguar mbi problematikat e tyre ka folur Besniku një prej banorëve të zonës. Sipas tij, gjendja në atë zonë është e mjerueshme aq sa kanë frikë të lejojnë fëmijët të dalin dhe të luajnë përjashta, sikurse shprehet ai, dhe se jeton aty sepse s’ka ku të shkojë tjetër.
Besniku shprehet: “Unë kam 8 vjet që jetoj në gabina. Jam familiar veti i 6. Nuk shqetësohet njëri për ne këtu. Jemi në kushte shumë të mjerueshme, jemi të gjithë pa bukë. Edhe atë ndihmë që kishim na e hoqën. Këtu nuk vjen njeri as nga Bashkia as nga komunalja, vijnë vetëm për vota. Nuk kemi as ujë. Unë nuk i lë dot fëmijët të dalin, i lë me zor është shumë pisllik këtu. Nuk ja dalë dot. S’kam mundësi t’i mbaj fëmijët.”
Të njëjtën problematikë për zonën tregon edhe zonja Xhuljeta. Ajo shprehet se jeton prej 11 vjetësh në këto kushte skandaloze: “Kam 2 femijë të vegjël nuk mund t’i jap dot çupës për të ngrënë. Mua burri me punon më merr 150 mijë lekë, por ka 3 muaj pa i marrë. Unë çfarë të bëj? Më del nga shkolla çfarë t’i jap të hajë? Këtu nuk vjen njeri për të na parë, vetëm për vota vijnë.
Mbeturinat i mbledhim këtu i djegim aty. Ujë e drita nuk kemi, me qirinj shohim. Kemi rreth një javë që na i kanë prerë dritat sepse nuk kemi të paguajmë, s’kemi. Vijnë dhe na i presin gjithmon. Ujë kemi shumë kohë që nuk kemi. Na kanë përjashtuar nga ndihma ekonomike, na mbyllin derën kur shkojmë ne atje.”
Problemi me madhor i zonës në të cilën jetojnë këto familje janë edhe ujërat e zeza. Mungojnë tubacionet e ujrave të zeza duke rrezikuar shëndetin e banorëve. As DSHP apo ISHP që e kanë për detyrë nuk kanë shkuar të kontrollojnë cilësinë dhe standartet e jetesës së zonës.
Ndërkohë ujërat e zeza derdhen në anë të shtëpive duke ndotur ambjentin. Problematikë tjetër e kësaj zone është edhe derdhja e mbeturinave të cilat për shkak të mungesës së një vendgrumbullimi hidhen sa andej-këndej pa kriter dhe digjen pastaj nga banorët.
Ndërsa nuk ka asnjë lloj mase nga Bashkia, nuk dihet se çfarë do të ndodh me këto familje.
(B.L/FAXWEB.AL)