Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet sot në një seancë të jashtëzakonshme të kërkuar nga opozita lidhur me siç thuhet, angazhimet e presidentit të Kosovës për “shkëmbimin e territoreve” apo “korrigjimin e kufijve” në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Seanca mbahet pak ditë para takimit të radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilët kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që do të mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.
As njëri dhe as tjetri nuk kanë dhënë hollësi se si mund të dukej një ndryshim i tillë, por presidenti serb e ka shpallur politikë të tij ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike. Presidenti i Kosovës, thotë se korrigjimi i kufijve do të nënkuptonte bashkimin me Kosovën të luginës së Preshevës, një zonë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Por, idetë e presidentit po kundërshtohen nga opozita e cila është shprehur kundër çdo ndryshimi të kufijve të Kosovës.
(E.K/FAXWEB.AL)