Kryeministri i KLosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi referuar pretendimeve të opozitës. Ai ka akuzuar krerët e opozitës për shtirje në prezantimin e kauzave të tyre.
Sipas kreut të kabinetit qeverisës në Kosovë, ata që sot po dalin kundër matjes së territorit me pretendimin se Kosova nuk ka kufij, deri dje gati e dogjën vendin e tyre se po humbnim mbi 8,000 hektarë tokë nga shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi.
“Si e matën ata Kosovën (pa kufij) për të akuzuar se po humb territor, nëse kjo matje nuk qenka e mundur të bëhet? Kosova i ka kufijtë e trashëguar, prandaj të ashtuquajturit ekspertë të gënjeshtrave dhe zëdhënës të kauzës së rremë politike janë sfiduar dhe janë zënë ngushtë me iniciativën për matjen e territorit të Kosovës.”, deklaroi Mustafa duke akuzuar opozitën se po dëmton sovranitetin shtetëror të Kosovës.