Që nga dita e djeshme kanë hyrë në fuqi kufizimet e reja të pandemisë Covid-19, teksa është shtyrë ora policore deri në 24:00.
Për sportin dhe futbollin në veçanti ka rëndësi më shumë hapja e dyerve të stadiumeve për tifozët. Më konkretisht, do të lejohen në to 30% e kapacitetit, duke ruajtur distancën sociale.
Ka qenë faqja zyrtare e FSHF-së, ajo që ka njoftuar se tifozët shqiptarë mund të kthehen në stadiume për të ndjekur skuadrat e tyre të zemrës:
“Pas thuajse 16 muajsh pa tifozë në stadiume, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, që preku të gjithë botën, Komiteti Teknik i Ekspertëve mori një muaj më parë vendimin që prej 1 korrikut 2021 do të lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% të stadiumit, sipas protokollit të Institutit të Shëndetit Publik. Kështu, duke filluar nga sot, tifozët mund të jenë të pranishëm në stadiumet shqiptare dhe mund të ndjekin finalen e Kategorisë Superiore U-15, që do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, si edhe finalet e turneut të përfaqësueseve rajonale për grup-moshat U-14 dhe U-13, që do të luhen në stadiumin “Elbasan Arena”. Gjithashtu, skuadrat shqiptare që marrin pjesë në kompeticionet e UEFA-s, Teuta, Vllaznia, Partizani dhe Laçi, në ndeshjet e kthimit që do të luhen në Shqipëri, do të kenë mundësi të kenë një numër të limituar tifozësh në shkallët e stadiumeve, me 30% të kapacitetit të tij. Më tej, nga shtatori do të rikthehen emocionet edhe për tifozët kuqezi, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin Kombëtaren nga afër, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e kampionatit Botëror “Katar 2022” ndaj Hungarisë më 5 shtator dhe tri ditë më vonë kundër San Marinos”, – shkruan faqja zyrtare e Federatës Shqiptare të Futbollit.