Emisioni “Histori ime”, solli ditën e sotme historinë e vështirë të një nënë, e cila nuk ka dashur të identifikohet dhe në program quhet me emrin Mira. Ajo prej 33 vitesh është duke u kujdesur për djalin e saj, i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor, por gjithashtu edhe probleme në të folur dhe me dëgjimin.
Nëna tregon se djali ka lindur para kohe dhe u vendos në inkubator, por sipas saj mjeku e nxori më herët seç duhej prej aty sepse do lyhej materniteti.
Pak ditë më vonë, djali u sëmur rëndë dhe kaloi një temperaturë të lartë. Fatmirësisht gjendja e tij u përmirësua, por Mira kuptoi se me djalin e saj diçka nuk shkonte mirë dhe gjatë kontrolleve zbuloi se ai nuk dëgjonte dhe më pas filluan t’i shfaqeshin edhe problemet e tjera.
Mirela Milori: Sa vjeç është djali juaj?
Mira: 33 vjeç!
Mirela Milori: Nga se vuan?
Mira: Djali nuk flet, nuk dëgjon, prapambetje mendore ka, fizike ka , i dridhet dora, t’i japësh të pijë ujë, ose kafe i derdhet. Pa ndihmës..
Mirela Milori: Tërë jetën je kujdesur ti për të?
Mira: Po, ka qenë më keq, unë kam punuar jashtë mase.
Mirela Milori: Ka lindur i tillë apo çfarë?
Mira: Ka lindur binjak, prematuro, pastaj u sëmur atje në maternitet. E nxorri nga inkubatori doktori, se do lyente maternitetin. Një gjë që s’duhej bërë, e bënë, u sëmur direkt. E nxorën nga inkubatori në peshë një kile e 950, ishte para kohe.
Mirela Milori: Pse e nxori para kohe?
Mira: Do lyente maternitetin dhe do lyente edhe dhomën ku ishte inkubatori, do stakoheshin ato dhe e nxorën. Dy ditë- tre ditë u sëmur, mori të ftohtë, temperaturë të lartë. Njëherë ja hoqën, nuk bëhet thanë, pastaj u kthye. E vizitoja, e çoja në doktorë se e shikoja që nuk reagonte, qante kot. E çova njëherë tek veshët dhe ai më tha nuk dëgjon fare, por tha e ka universale, domethënë i ka të tëra, domethënë duke u rritur duke u rregulluar. Vëri kapak tenxheresh, me lugë me pirunj, i vija që të luante me ato. 6 vjeç është ngritur në këmbë, nuk flet akoma dhe tani, shumë pak, unë ja kuptoj, por me shenja më shumë. Dhe nuk e dinim që s’dëgjonte se vinim e çonim në shkollë për memecë kështu, kishte marrë një zanat një gjë. Vetëm kur kam vajtur në Gjermani e kam kuptuar, që e kam vizituar atje.
Mirela Milori: Si shkoi jeta e djalit tënd? E çove në kopsht, shkollë?
Mira: Ai 6 vjet u ngrit në këmbë se çoja dot në kopsht, që ecte kështu pak, madje tek stacioni i trenit ka ecur. Pa të atin dhe vrapoi mbas atij, ajo ka qenë ecja e parë e tij.
Mirela Milori: Dhe pastaj?
Mira: Pastaj gjithmonë me të keq, binte vritej shumë. Ecte shumë keq, e varte kokën.
Mirela Milori: Je kujdesur ti gjithë kohën?
Mira: Jashtë mase, që e kam sjellë në këtë gjendje që e shikoni sot, kam punuar jashtë mase. Ja kam kushtuar jetën atij.