Sëmundjet e gjirit nuk janë të pakta prandaj ne duhet të kujdesemi. Një nga hapat kryesorë që duhet të bëjmë është vetëkontrolli i gjirit, i cili bëhet duke kontrolluar gjirin nëpërmjet prekjes me duar për të vërejtur nëse ka ndonjë ndryshim të pazakontë tek ta. Duke kontrolluar gjinjtë ne do të kuptojmë edhe gjendjen e tyre. Ato që janë tëdukshe te gjiri janë gjendrat, të cilat mund të shikohen apo të zbulohen shumë thjesht nga vetë gruaja, por kanë shumë rëndësi nëse zbulohen në kohë. Është e këshillueshme që vetëkontrolli i gjirit në fillim të mësohet nga mjeku, shkruan gazeta shëndeti +.
Hapat:
Kur bëhet vetëkontrolli i gjirit
Vetëkontrolli i gjirit duhet të bëhet një herë në muaj, duke filluar qysh nga mosha 20-vjeçare. Por në çfarëdo moshe që të jeni, duhet ta ktheni në zakon vetëkontrollin mujor të gjirit.
Vetëkontrolli i gjirit këshillohet të bëhet çdo muaj, mbas kalimit të periodave, 3-4 ditë mbas tyre. Kjo sepse gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur dhe mund t’ju ngatërojnë. Për gratë në menopauzë vetëkontrolli i gjirit bëhet ditën e parë të çdo muaji. Kjo bëhet me qëllim që ju ta keni më të lehtë për t’u kujtuar.
Duke i kontrolluar gjinjtë çdo muaj, ju do të bëheni familjarë me ta, do të njihni se si janë zakonisht dhe kështu do të vini re menjëherë ndonjë gjë të pazakontë në ta.
Si bëhet vetëkontrolli i gjirit?
Është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim. Mund të realizohet kur është duke bërë dush, kur është duke ndenjur shtrirë apo duke qëndruar përpara pasqyrës. Me dorë, lehtë, me lëvizje rrotulluese, kontrollohen me radhë gjinjtë. Me dorën e majtë kontrollohet gjiri i djathtë dhe pastaj me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë.
Indet e gjirit përfshijnë një sipërfaqe më të madhe se gjinjtë, prandaj, kontrollo, prek dhe shiko të gjithë sipërfaqen e gjirit, duke përfshirë edhe pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat.
Filloni që tani të ndiqni hapat e mëposhtme:
Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosni duart në mes dhe merrni frymë me energji. Ky veprim tendos muskujt e kraharorit duke dhënë një mundësi për t’i parë më mirë gjinjtë.
Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakontë në ngjyrën, formën apo madhësinë e gjinjve?
Qëndroni përpara pasqyrës. Vendosni duart pas kokës. Kthejeni trupin majtas. Kthejeni trupin djathtas.
Vini re: Mos ka ndonjë ndryshim të pazakontë në ngjyrën, formën apo madhësinë e gjinjve?
Kontrolloni me majat e gishtave të dorës së djathtë gjirin e majtë dhe me majat e gishtave të dorës së majtë gjirin e djathtë, duke shkuar deri tek sqetullat.
Vini re: Mos ka ndonjë kokërr tek gjinjtë?
Kontrolloni me të prekur sqetullën e djathtë, pastaj dhe sqetullën e majtë.
Vini re: Mos ka ndonjë kokërr nën sqetull? (J.V/Shuplaka)