Nga Dritan Hila
Reforma në drejtësi nuk ka qenë kurrë një çështje për të cilën politika shqiptare ka gjetur konsensusin e saj. Të gjithë e mbajnë mend korrikun e vitit 2015 kur Ilir Meta, në ato kohë Kryetar i Kuvendit, doli dhe kërkoi miratimin. U përfol për zgjedhje të parakohshme, por mesa duket të gjitha palëve iu interesonte miratimi i saj. Pozita nuk donte të linte një vit që i mbetej deri në zgjedhjet e reja të pa konsumuar. Opozita nuk ishte ende gati. Dhe të dyja bashkë nuk donin ta prishnin me ndërkombëtarët
Reforma në drejtësi është korpusi ligjor i cili prek një nga tre shtyllat e pushtetit duke e reformuar tërësisht atë madje mund të thuhet transformuar. Çfarë janë arritur në 27 vjet demokraci fillon nga e para.
Në gjithë këtë kalvar tre vjeçar, dy kanë qenë protagonistët kryesorë: Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Donald Lu dhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian Romana Vllahutin. Sa herë opozita kishte pretendimet e saj; sa herë pushteti ngjante i lodhur nga negocimet e gjata; sa herë Sali Berisha si pol i tretë i politikës kishte pretendimet e tij, dy ambasadorët nuk reshtnin duke trokitur derë më derë për ta ringjallur edhe një herë.
Sa kishin parashikuar profesionistët se kjo reformë do të donte vite të konfigurohej dhe pastaj të implementohej, dolën të vërteta. Publikut ngjan se i kaloi padurueshmëria për të parë spektaklin e radhës dhe rifitoi indiferencën tradicionale. Por kur gjithçka dukej se ishte futur në hullinë e rutinës së zgjedhjeve të institucioneve dhe ajo që vinte në media ishte vetëm ekoja e disa procedurave të pakuptueshme, erdhi koha e mbarimit të mandatit të prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla. Dukej një procedurë thjeshtë teknike, nisur edhe nga emrat që kanë kandiduar për postin e përkohshëm. Janë emra të padëgjuar për publikun në procese të mëdha kundër krimit të organizuar, apo proceseve për korrupsion. Janë emra të zakonshëm. Ngjan se shqetësimi i opozitës është i pavend për sa i takon përdorimit të tyre politikisht pasi nuk njihet tifoja e tyre partiake, por edhe gjatësia teorike e mandatit nuk duhet ti mundësonte hapjen e proceseve delikate ose mbylljen e tyre si në rastin e Sajmir Tahirit. Ndërsa këmbëngulja e pozitës për ta hequr, ngjan më shumë se një inat personal i tyre ndaj një emri që e kanë përmendur vazhdimisht për inaktivitet si ai i Adriatik Llallës.
Por të gjitha vetëm ngjanë. Pasi opozita ka frikë se përzgjedhja pa konsensusin e saj do të sjellë një individ i cili i bindet maxhorancës dhe përdoret kundër saj. Ndërkohë që pozita nuk mund të lejojë ti iki rasti për të larguar Adriatik Llallën dhe afruar një njeri më afër ndjeshmërive të tyre dhe pse jo edhe mirëkuptues ndaj nevojave politike.
Ditët e fundit kanë treguar se maxhoranca aktuale është e bindur të përfitojë nga mundësia që i jep ligji. Ajo ka filluar procedurën për përzgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm. Ndërkohë opozita ka kuptuar se nëse zgjidhet ky post, iu bie një armë e fortë presioni për arritjen e konsensuseve në procesin e implementimit të reformës, siç është zvarritja apo mos votimi në komisionet ku ka ekuilibër. Por ca më keq, mendojnë se do përdoret për interesa të maxhorancës. Dhe nuk kanë faj. Shumë prej emrave politikë janë të përfolur në afera të bujshme, por ata që do të goditen, nëse goditje do të ketë, do të jenë nga opozita apo kuaj të ngordhur të pozitës. Pasi një prokuror i përgjithshëm gjithmonë ka qenë vulnerabël ndaj politikës. Aq më shumë është i tillë një i përkohshëm. Për opozitën ky është një skenar i frikshëm. Me siguri më shumë do të pranonte një prokuror të përgjithshëm definitiv i cili nuk do të ishte shumë i përkulshëm ndaj çdo teke të pushtetit, sesa një person i cili është nën presionin e përkohshmërisë dhe joshjes se ai mund të jetë edhe i përhershëm si Prokuror i Përgjithshëm.
Në këto kushte krahu i djathtë dhe LSI janë hedhur në mbrojtje aktive duke përdorur gjithë armët. Në komunikimin e tyre publik po përpiqen të sqarojnë njerëzit se ky është një tjetër pushtet që bie në duart e Edi Ramës. Nuk kanë munguar as sulmet ndaj Donald Lu dhe Romana Vlahutin si njerëz që janë agjentë të miliarderit hebre Xhorxh Soros që po investohet të blindojë në pushtet delfinin e tij Edi Rama. Dhe ndërkohë ajo që ende publiku nuk di, është se nëse mbas gjithë këtyre viteve të shpenzuara me pritje apo energji të konsumuara në debate, do të japin vërtetë drejtësinë e pavarur apo thjesht një surrogat të asaj që kishim.