Edi Rama sekretar i përgjithshëm i NATO-s! Është kjo ndoshta gënjeshtra më e besuar 1 Prillin e këtij viti, e cila u servis nga një personazh rrjeti, nën petkun e një studiueseje gjermane të quajtur Suzana Starikov.
Kjo e fundit, kishte bërë një postim në rrjetet e saj sociale, me pretendimin se Rama ishte kandidat për të zënë vendin e Jehns Stolenberg në NATO, material i cili u mor si i mirëqenë nga pothuajse të gjitha mediat në vendin tonë.
Në një reagim të dytë nga i njëjti profil, Stakarov do të shkruante se postimi i saj ishte një shaka për 1 Prillin dhe se në fakt ajo nuk kishte asnjë dijeni se kush do të ishin kandidatët për postin e sekretarit të NATO-s. Të njëjtin qëndrim Stakarov, ka mbajtur në një komunikim përmes Tëitterit dhe me redaksinë e Fax News, duke mos komentuar më tej detaje rreth aktivitetit të saj.
Në fakt pas verifikimeve,Stakarov rezulton se nuk është akademike, dhe për më tepër gjermane. Në fakt kjo llogari drejtohet nga një person shqiptar, i cili është i mirëinformuar me lajmet që vijnë nga Shqipëria, por edhe Kosova.
Nëse i bën një verifikim të thjeshtë postimeve në faqet e Twitter, ato lidhen kryekëput, me ngjarjet që ndodhin në dy vendet shqiptare. Ajo që mbetet interesante për t’u zbuluar është se kush e ka shtyrë dhe ideuar këtë gënjeshtër, që në fakt të paktën në pikëpamje të parë i jep kredo politike Edi Ramës.
Të gjithë folën dje për ‘shanset e mëdha’ të kryeministrit shqiptar për të drejtuar aleancën më të madhe të sigurisë në botë, që në fakt do të ishte përmbyllja e ëndrrave për karrierën e Ramës.
Vetë ky i fundit nuk dihet nëse ka qeshur me këtë gënjeshtër, apo edhe nëse njerëz rreth tij tentuan të luanin skupin për të matur edhe temperaturën në opinionin publik, që të paktën për momentin duket një ëndërr në sirtar.
(E.K/Faxweb.al)