Aksioni i IKMT-së në zonën e Shkozës vijon sot në ditën e tij të dytë, ndërsa ka një mbështetje shumë të madhe nga ana e policisë së rendit dhe FNSH-së.
Banorët janë zgjuar mëngjesin e sotëm nën terrorin policor, një ditë pasi dje u shemb banesa e dy të moshurave Ylli dhe Bukurije Sinanit.
Gjatë ditës së sotme pritet që të kryhet shembja e dy banesave, ndërsa qytetarët duket të jenë dorëzuar, dhe i kanë liruar godinat e tyre.
Një pjesë e tyre ende shpresojnë se mund të marrin dëmshpërblim, pasi banesat e tyre kanë qenë ende në proces legalizimi.
“Kanë ardhur me skafandra dhe me paisje të rënda ushtarake, kujtova se kishte alarm për bombë, aq shumë policë kanë ardhur”, shprehet një prej banorëve.
“Jemi në pikën e hallit, pa punë, tani nuk na lejojnë as të shkojmë te shtëpia”, shprehet një tjetër banor, shtëpia e të cilit do të shembet.
Në mbështetje të banorëve ka shkuar sot dhe ish-deputeti Aldo Bumçi, i cili thotë se Rama është duke kryer krim me nxjerrjen e qytetarëve në rrugë të madhe.
“Kjo nuk ka asnjë lidhje me sjellje europiane, këta banorë i kanë të gjitha shanset që të marrin dëmshpërblimin”, u shpreh Bumçi.
(E.K/Faxweb.al)