Kukës, 13 maj 2025 – Komisariati i Policisë Kukës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kroi”, ka vënë në pranga një tjetër shtetas të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Pas hetimeve të thelluara dhe kontrolleve të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, u arrestua shtetasi:
- L. M., 50 vjeç, banues në fshatin Tejdrinë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim dhe është kapur pasi Gjykata e Kukësit i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet rezulton se në muajin qershor 2024, L. M., në bashkëpunim me vëllain e tij, N. M. (i arrestuar në muajin mars 2025), ka kultivuar bimë narkotike në zonën e quajtur “Kroi i Bardhë”, në fshatin Tejdrinë.
Me këtë arrestim, numri i të ndaluarve në kuadër të operacionit “Kroi” shkon në dy.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.