Kukësi ka ndëshkyuar me nga një rrogë mujore të lojtarët që nuk morën pjesë në stërvitje e parë ku u prezantua dhe trajneri i ri Milinkoviç.
Portieri Enea Koliçi, mesfushori Nijaz Lena dhe sulmuesi Izair Emini janë penalizuar me nga një rrogë mujore për shkak të mosprezencës në ditën e parë të stërvitjes. Të tre lojtarët kanë qenë shtylla të skuadrës në sezonin e fundit, ku Kukësi fitoi për herë të parë kampionatin, shkruan “Panorama Sport”
Vetëm dy ditë më parë, Emini e pat paralajmëruar për gazetën largimin nga Kukësi, pasi i kishte përfunduar kontrata. Mirëpo, drejtuesit pretendojnë të kundërtën dhe pas thirrjeve të tij për t’u larguar me një shtrëngim duarsh, sulmuesi ndërmori rrugën ligjore. Zyra juridike e kontraktuar prej tij po vazhdon procedurat për ta hedhur klubin në gjyq në FIFA, për shkak se tetovari pretendon që ka parregullsi në kontratë.
Klubi i Kukësit ka depozituar më 20 korrik në FSHF një kontratë tjetër, përveç asaj që disponojnë lojtarët, teksa Emini, Koliçi dhe Lena rezultojnë se kanë rinovuar edhe për një vit. I pyetur dje nga gazeta, Emini shkurtimisht deklaroi: “Klubi të bëjë çfarë të dojë, me çështjen e kontratës po merret përfaqësuesi im ligjor”.
Ndërkohë, gazeta kontaktoi dje edhe me Nijaz Lenën, i cili i “dribloi” pyetjes për gjobën, duke thënë: “Nuk kam bërë ende asnjë takim me drejtuesit. Unë e kam deklaruar edhe pas ndeshjes me Sherif Tiraspolin që klubi i parë me të cilin do të flas për një kontratë të re do të jetë Kukësi. Kaq mund të them për momentin”.
REAGIMI
Vendimi i klubit ka prekur edhe Koliçin, i cili ka treguar një formë të jashtëzakonshme sezonin e fundit. Problemi i “gardianit” me klubin është më i thellë se kjo gjobë. Gazeta zbulon se vetë Koliçi ka biseduar e negociuar ditën e martë me presidentin Gjici për të ardhmen, por nuk është gjetur një emërues i përbashkët.
Presidenti nuk ka pranuar kërkesat e lojtarit, teksa klubi pretendon se Koliçi ka edhe një vit kontratë, gjë që hidhet poshtë në mënyrë absolute nga portieri dhe përfaqësuesi i tij ligjor. Tashmë e vetmja rrugë për lojtarin është largimi dhe ankesa në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF ose FIFA. Koliçi sqaron se ka bërë të gjitha kërkesat në FSHF, duke njoftuar largimin sipas asaj që parashikonte kontrata. I indinjuar pas penalizimit të fundit, portieri foli dje për “Panorama Sport”, ku konfirmoi se tashmë nuk i ka mbetur më asnjë rrugë, përveçse gjyqit me Kukësin.
“Nuk e prisja këtë reagim nga klubi, pasi unë dje (të martën) kam qenë në negociata me presidentin Gjici për një marrëveshje të mundshme për të vazhduar bashkëpunimin me Kukësin. Me këtë veprim të bërë nga ana e klubit, nuk më kanë lënë për të bërë gjë tjetër, veçse ta zgjidhim këtë çështje sipas mënyrës më të mirë dhe më të saktë për ata, pra gjyqi.
Nëse duan gjyq, le të vazhdojmë në këtë rrugë, nuk ka asnjë problem për mua, pasi atje do e shohim kush ka të drejtë dhe kush jo. Unë prisja që të bisedoja me presidentin dhe të zgjidhnim çdo gjë me mirëkuptim. I kam paraqitur Gjicit kërkesat e mia, por me këtë mënyrë, klubi e vetmja gjë që bëri është se më largoi më tepër.
Gjoba nuk është mënyra e duhur. Me këto veprime, nuk më lënë zgjidhje të tjera, sepse ky nuk është mirëkuptim”, deklaroi i indinjuar Koliçi. Përveç Skënderbeut që e kërkon, portieri ka marrë oferta konkrete nga klube franceze, greke dhe së fundmi izraelite.
(B.H/Shuplaka)