Kryeministri Edi Rama ka premtuar që aeroporti i Kukësit do të jetë gati para zgjedhjeve të këtij viti:
“Shpresojmë se po të mos pengohemi nga ndonjë forcë madhore, por për zgjedhje kuksianët nga Londra që më kanë përqeshur dhe tallur në Facebook do ti marr në Londër unë dhe do ti ul po unë me avion në aeroportin e Kukësit, PD do të ketë nga unë 120 vota falas në zgjedhjet e ardhshme”.
Por batutën e sotme në lidhje me pasagjerët që do të përzgjidhen për të udhëtuar me avionin e parë në këtë aeroport Rama e ka thënë që në qershor të këtij viti kur publikoi disa foto nga punimet.
Kreu i qeverisë tha asokohe se për këtë projekt vijon puna, ndërsa shtoi se vitin që vjen në këtë aeroport do të ulet avioni ‘Migjeni’.
Sipas Ramës, ky aeroport do të presë pasagjerë vitin e ardhshëm, të cilët do të përzgjidhen mes atyre miqve të faqes së tij në facebook. Rama thotë se do të përzgjidhen ata pasagjerë, të cilët e kanë përqeshur më shumë këtë projekt dhe s’kanë lënë gjë pa thënë nga Londra.
Aeroporti i Kukësit ka një territor prej 512 mijë metra katrorë, me një gjatësi piste prej 1900 metrash dhe gjerësi 45 metra. Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë. Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit.