Ndërtimi i një kulle shumë metër larg qendrës së Tiranës pas TOB, ka ndezur debate këto ditë jo vetëm nga aktorë të shoqërisë civile, por edhe politikanë.
Kulla e cila pritet të jetë 58-katëshe, ka implikuar edhe ish-kryeministrin Berisha nën akuzat se ai shiti zgjedhjet lokale për përftime personale për ndërtimin e saj.
Berisha i ka mohuar këto akuza ku u shpreh se: “Janë shpifje nga kuzhina Fuga-Veliaj, edhe për kullat e ka fajin Saliu. E gjithë përpjekja është të krijojë një zhurmë për të shuar flakët e djegësit të Tiranës që nuk ekzistojnë. Gjatë qeverisjes së PD, Sali Berisha nuk ka dhënë asnjë leje për asnjë kullë.
Për të folur më tepër rreth ndërtimit të saj dhe si do e ndryshojë ajo arkitekturën e qytetit, e ftuar në studion e ‘FaxNews’ me anë të një lidhjeje Skype ishte urbanistja Doriana Musaj.
Musaj u ndal fillimisht të fliste rreth objektit në këndvështrimin akritektonik, ku u shpreh se ai do të ndryshojë të gjithë rrjedhën e lëvizjes së trafikut dhe qytetarëve në kryeqytet.
“Qendra e Tiranës ka vite që po rizhvillohet që nga 2018 kemi parë ndryshime në arkitekturën. Kjo është kulla e 6-të që rrethon sheshin ‘Skënderbej’, ndërtimi i së cilës është paralajmëruar para zgjedhjeve lokale. Edhe pse prej vitesh është munduar të ndërtohej në atë zonë, nuk është arritur deri më sot. Me zhvillimin e kësaj kulle do kemi ndryshim e lëvizjes së qytetarëve, e qarkullimit të ajrit, hijezimit, si edhe do sjell shumë ndryshime në trafik si edhe fluks njerëz pasi këto kulla shërbejnë edhe si qendra të zhvillimit tregtar. Çdo vendim që prek qendrën historike të Tiranës dhe jo vetëm, por edhe zonat e mbrojtura me rëndësi kombëtare kryesisht politizohen. Kemi një vendim të Këshillit të Ministrave, dhe duken qenë se Qeveria tashmë prej kohësh merr vendime lidhur me urbanistikën, është e pashmangshme që debati të kthehet në politikë. Nuk kemi të bëjmë me një kritikë të mirëfilltë urbane, debati tashmë merr ngjyrime politike”, tha urbanistja.
Më tej ajo u ndal edhe te akuzat dhe implikimi i opozitës dhe ish-kryeministrit Berisha ku u shpreh se politizimi i ndërtimit të këtij objekti ishte i pritshëm.
Ajo theksoi se debati lidhur me ndërtimin e kësaj kulle nuk duhet politizuar, pasi prek gjithë qytetarët e Tiranës, teksa shtoi se transparenca për ndërtimin e saj duhet të jetë një procedurë e ofruar nga Qeveria.
“Opozitarizmi, nuk kufizohet nga një grupi i caktuar, por në tërësi vjen si një reagim i një vendimmarrje qeveritare. Kjo nuk e dëmton opozitën, por përvetësimi nga njerëz specifik e bën këtë. Opozita do të duhet të kërkojë më shumë rreth transparencës së projektit dhe cilësisë së ndërtimit. Prej vitesh jemi në një krizë politike, ndaj edhe implikimet e palëve e bëjnë debatin më intesiv. Në këtë projekt ka përplasje të interesave të palëve të ndryshme, ndaj edhe debati publik lidhur me transparencën e projektit i shërben jo vetëm të mirës qytetare, por edhe të kuptojmë se kush është i përfshirë në këtë projeket. Transparenca në këtë rast është një detyrim ligjor nga shteti shqiptar”, shtoi Musaj.