Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Erion Veliajt ka shtuar në masë dhënien e lejeve të ndërtimit, saqë me këto ritme, Tirana mund të quhet pa frikë qyteti i kullave.
Urbanisti Gent Karpata i ftuar në ‘’Fax News” u shpreh se kullat në Tiranë po sjellin mjaft probleme, krahasuar me përfitimet.
Karpata tha se dy argumentet që përdor Bashkia për ngritjen e kullave është fakti se Tirana shtohet çdo vit me 25 mijë banorë dhe se me shtimin e kullave lehtësohet trafiku.
Po sipas Karpatës vendimet për ngritjen e kullave nuk mund të merren pa një plan urbanistik, që Tirana nuk e ka që prej vitit 1990.
‘’A i duhen apo jo kullat Tiranës, është një problem që duhet të lindë nga një plan urbanistik. Plani i fundit që Tirana ka është miratuar në 1 Maj të vitit 1990. Pra nuk ka asnjë plan tjetër zhvillimor, që prej atij viti. Për aq kohë sa nuk kemi një plan, ne nuk mund të themi as nëse duhen apo jo kullat.
Bashkia Tiranë sjell dy argumente për ndërtimin e kullave, asnjëri prej tyre nuk qëndron. I pari është se Tiranës i duhen ndërtime të reja pasi popullsia rritet sipas tyre me 25 mijë banorë, këtë zgjidhje bashkia Tiranë mendon që ta ngrejë në vertikalitet dhe jo horizontalitet. Edhe pse rritja në vertikalitet është shkencore, nuk është ajo që unë mendoj se i duhet sot Tiranës.
Nuk është e vërtetë që Tirana vetëm po ngrihet, pasi me Bulevardin e ri, shtrirja është mjaft e madhe në horizontalitet. Kush tha që Tirana duhet të rritet, mos vallë duhet që qeveria vendore duhet të marrë një vendim për rishpërndarjen e popullsisë edhe në zona të tjera? Argumenti që ata përdorin është se Tirana ka mundësitë më të mëdha të punësimit, po nëse iu referohemi shifrave, kjo nuk është e vërtetë.
Argumenti i dytë i Bashkisë së Tiranës thuhet se me ngritjen e kullave ka një lehtësim të trafikut në qytet. Halli më i madh i Tiranës për mua është se duhet të bllokohet menjëherë ndërtimi.
Mbjellja e pemëve nga ana e Bashkisë së Tiranës është njësoj si të bësh tualet kur je i sëmurë me kancer. Nuk është normale, duhet ti kthehemi hallit të madh të ndërtimeve. Sistemi rrugor është i rrezikshëm, ke frikë të nxjerrësh fëmijët për të luajtur poshtë oborrit”, u shpreh Karpata.
Karpata u shpreh më tej se edhe pse vala e madhe e ndërtimeve që ka prekur Tiranën ka sjellë një numër shumë të lartë apartamentesh, çmimet me të cilat blihen nga qytetarët janë shumë të larta.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post