Prof.Dr. Kristaq Kume: Demokracia përfaqësuese ka nevojë jo vetëm për votën e diasporës, por edhe për përfaqësues të zgjedhur të saj, si deputetë në Shqipëri. Edhe në rast se Kuvendi nuk do t`i miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kërkohen për ta bërë të mundur votimin nga jashtë që në zgjedhjet e 2025, nëse miratohet e drejta e qytetarëve për të garuar me Listë me kandidatë të pavarur, diaspora mund të përfaqësohet me deputetë që do të zgjidhen nga Lista e kandidatëve të pavarur, të cilën ajo mund dhe duhet ta hartojë në bashkëpunim edhe me zgjedhësit e që banojnë në Shqipëri
Nderi i kombit, Prof.Dr. Kristaq Kume
TË DREJTËN KUSHTETUESE PËR PARTITË POLITIKE PËR TË PROPOZUAR KANDIDATË PËR DEPUTETË, KODI ZGJEDHOR E TRAJTON NDRYSHE. PARTITË POLITIKE KANË TË DREJTË TË GAROJNË NË ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË ME LISTË ME KANDIDATË. ZGJEDHËSI VOTON PËR PARTINË POLITIKE DHE VOTAT E TIJ PRODHOJNË MANDATE QË JU SHPËRNDAHEN KANDIDATËVE TË LISTËS SË KËSAJ PARTIE. PRA, KANDIDATI E FITON MANDATIN E DEPUTETIT JO VETËM NGA MBËSHTETJA QË AI MUND TË KETË PERSONALISHT POR, NGA MBËSHTETJA QË MERR PARTIA POLITIKE QË E KANDIDON OSE, E THËNË NDRYSHE, NGA MBËSHTETJA QË I JAPIN ZGJEDHËSIT E LISTËS SHUMËEMËRORE ME TË CILËN GARON PARTIA.
Krijimi i mundësive ligjore për votimin e shtetasve nga jashtë territorit të vendit, që shpesh thuhet votimi i diasporës, është një ndër çështjet më shumë të debatuara në kuadër të punëve, që bëhen për rregullimet në Kodin zgjedhor. Reforma zgjedhore e kryer në vitin 2020 pati si rezultat të saj edhe trajtimin, për herë të parë në legjislacionin tonë zgjedhor, të mundësisë për votim të zgjedhësve emigrantë nga vendi ku banojnë, pa u detyruar të vijnë në Shqipëri për të votuar. Në zgjedhjet për Kuvendin, që u zhvilluan në vitin 2021, kjo mundësi e re ligjore nuk u arrit të zbatohej. Arsyet janë të shumta por, pa vështirësi mund të identifikohet si një ndër më kryesoret vullneti i munguar tek partitë politike për të ndërtuar rrugët dhe mekanizmat, që duhet të përdoreshin për zbatimin e votimit të zgjedhësve të diasporës nga jashtë vendit. Dihet tashmë se cilat ishin zhvillimet që pasuan zgjedhjet parlamentare, 2021. Votimin nga jashtë territorit të vendit e gjykoi dhe u shpreh me vendim edhe Gjykata Kushtetuese. Për këtë mundësi votimi nuk u shprehën kundër asnjë nga partitë politike. Në Kuvendin e Shqipërisë janë paraqitur projekt ligje për ndryshime që duhet të bëhen në Kodin zgjedhor nga grup deputetësh, parti politike dhe shoqata. Ka edhe një projekt ligj të paraqitur nga qytetarë, që përdoren, për këtë qëllim, të drejtën kushtetuese që kanë 20,000 zgjedhës për të ndërmarrë nismë ligjvënëse. Për votimin e emigrantëve janë organizuar tavolina dhe forume diskutimi ku janë trajtuar aspekte të ndryshme të kësaj mënyre votimi. Mediat kombëtare dhe lokale, audivizive dhe të shkruar, si dhe media sociale i kanë kushtuar një vend dhe vëmendje të veçantë votimit të emigrantëve. Aktualisht në Kuvendin e Shqipërisë është edhe propozimi i partisë socialiste nëpërmjet, të cilit, si urdhëron edhe Gjykatat Kushtetuese, synohet të plotësohen boshllëqet që ka mënyra aktuale e trajtimit të këtij problemi në Kodin zgjedhor.
NDËRKOHË ËSHTË E RËNDËSISHME TË THEKSOHET SE MIRËQEVERISJA DHE EFEKTIVITETI MË I MADH I DEMOKRACISË PËRFAQËSUESE NË VENDIN TONË KA NEVOJË JO VETËM PËR VOTËN E DIASPORËS, POR EDHE PËR PËRFAQËSUES TË ZGJEDHUR TË SAJ, SI PJESË E LIGJBËRËSVE SHQIPTAR.
Leximi me kujdes i të gjithë propozimeve të bëra për rregullimet që duhet të bëhen në legjislacion, për të bërë të mundur votimin nga jashtë territorit të vendit, votimin e zgjedhësve emigrantëve, tregon se problemi trajtohet vetëm në aspektin e përcaktimit të kushteve që duhet të plotësohen, që emigranti të votojë nga vendi ku banon dhe mënyrës se si mund të realizohet kjo mënyrë votimi. Në asnjë rast dhe në asnjë prej propozimeve të derisotme nuk trajtohet problemi i përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë, me deputetë të tyre, të zgjedhësve emigrantë, ndryshe e thënë, e përfaqësimit të diasporës me deputetë në Kuvend. Që në krye të herës, theksoj se, në fakt, ky është edhe problemi më i komplikuar. Për trajtimin e tij kërkohet jo vetëm vullnet politik shumë më i shprehur se sa vullneti për të mbështetur votimin nga jashtë vendit por, për ta gjetur zgjidhjen më efektive në kushtet e vendit dhe shoqërisë tonë, kërkohet të kryhet një proces legjislativ shumë më i komplikuar, që mund të ketë pjesë të tij edhe ndërhyrjet në Kushtetutën e vendit. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se mirëqeverisja dhe efektiviteti më i madh i demokracisë përfaqësuese në vendin tonë ka nevojë jo vetëm për votën e diasporës, por edhe për përfaqësues të zgjedhur të saj, si pjesë e ligjbërësve shqiptar. Pyetja që mund të bëhet në këtë rast është – A ka mundësi dhe hapsirë reale që edhe pa kaluar në një proces legjislativ kompleks, të krijohen kushte që diaspora të përfaqësohet në Kuvend me deputetë të saj dhe që kjo të ndodh që në zgjedhjet e ardhëshme për Kuvendit, në 2025? Përgjigja e ime për këtë pyetje është:
Në neni 68, pika 1, të Kushtetutës së Shqipërisë përcakton se “Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit”.
Për ushtrimin e kësaj të drejtë që Kushtetuta ju njeh zgjëdhësve shqiptar, në Kodin zgjedhor janë përcaktuar rregullat dhe proçedurat që duhet të zbatohen. Në to parashikohet që një grup zgjedhësish kanë të drejtë dhe mund të propozojnë vetëm një kandidat të pavarur për deputet. Duhet të thuhet se, e drejta e zgjedhësve për të propozuar kandidat të pavarur nuk kufizohet vetëm në një kandidat për deputet në zonën zgjedhore përkatëse. Zgjedhësit kanë të drejtë që të propozojnë më shumë se një kandidat në një zonë zgjedhore, por secili prej këtyre kandidatëve duhet të garojë si subjekt më vete. Kjo mënyrë e trajtimit në Kodin zgjedhor i të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të propozuar kandidatë të pavarur ka patur si pasojë të saj numrin shumë të vogël të kandidatëve të pavarur dhe asnjë deputet në Kuvendin e Shqipërisë që ta ketë fituar mandatin si kandidat i pavarur. Midis faktorëve që kanë sjell këtë situatë veçohet, si më i rëndësishëm dhe me efekt negativ më të madh, detyrimi që parashikon Kodi zgjedhor për garimin e çdo kandidati të pavarur si subjekt zgjedhor më vete. Ndërkohë, të drejtën kushtetuese për partitë politike për të propozuar kandidatë për deputetë, Kodi zgjedhor e trajton ndryshe. Partitë politike kanë të drejtë të garojnë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë me Listë me kandidatë. Zgjedhësi voton për partinë politike dhe votat e tij prodhojnë mandate që ju shpërndahen kandidatëve të listës së kësaj partie. Pra, kandidati e fiton mandatin e deputetit jo vetëm nga mbështetja që ai mund të ketë personalisht por, shumë më tepër se sa kaq, nga mbështetja që merr partia politike që e kandidon ose, e thënë ndryshe, nga mbështetja që i japin zgjedhësit listës shumemërore me të cilën garon partia.
QYTETARËT MUND TË GAROJNË ME LISTËN ME KANDIDATË TË PAVARUAR JO DOMOSDOSHMËRISHT NË TË 12 NJËSITË ZGJEDHORE. PËR RRJEDHOJË, ZGJEDHËSIT NGA DIASPORA MUND TË ORGANIZOHEN PA VËSHTIRËSI DHE DUKE BASHKËPUNUAR EDHE ME ZGJEDHËS TË NJËSISË ZGJEDHORE PËRKATËSE ME BANIM TË PËRHERSHËM NË SHQIPËRI, TË PARAQESIN NË KOMISIONIN QËNDROR TË ZGJEDHJEVE, LISTËN ME KANDIDATË TË PAVARUR, NË TË CILËN TË PËRFSHIJNË KANDIDATË NGA QYTETARË EMIGRANTË.
Duke ballafaquar këto dy mënyra të ndryshme të zgjidhjes që përcaktohet në Kodin zgjedhor për ushtrimin e të drejtës kushtetuese të partive politike dhe qytetarëve për të propozuar kandidatë për deputetë, me një llogari të thjeshtë mund të evidentohet diferenca thelbësore midis tyre. Kështu le të supozojmë se në një njësi zgjedhore garojnë pesë kandidatë të pavarur të propozuar nga zgjedhësit. Secili prej tyre fiton 4000 vota ndërkohë që numri minimal, pragu i votave të vlefshme për të fituar një mandat deputeti në njësinë zgjedhore përkatëse, rezulton 5000 vota, asnjë prej kandidatëve të pavaruar nuk fiton mandat. Ndërkohë, në rast se kandidatët e pavaruar do të garonin në një listë të përbashkët, lista do të fitonte 20.000 vota. Për pasojë, katër prej kandidatëve të pavarur do të fitonin mandatin e deputetit.
Në Kuvendin e Shqipërisë aktualisht është paraqitur projekligji “Për shtesa dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, miratimi i të cilit do të krijonte mundësinë që qytetarët të garojnë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë me “Listë me kandidatë të pavarur”. Miratimi i këtij projekt ligji do të krijojë mundësi efektive edhe për diasporën për t`u përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë me deputetë që do të zgjidhen ndër kandidatë që do të propozohen prej saj, si kandidat për deputetë të pavarur.
Projekt ligji parashikon që, në rast se nuk ndryshon ndarja e Shqipëri për efekte të zgjedhjeve parlamentare, në secilën prej 12 njësive zgjedhore, qytetarët të kenë të drejtën të hynë në garën zgjedhore me Listë me kandidatë të pavarur, në të cilën numri i kandidatëve mund të jetë më shumë se një dhe deri sa është numri i mandateve për deputetë që i korespondojnë njësisë zgjedhore përkatëse. Qytetarët mund të garojnë me Listën me kandidatë të pavaruar jo domosdoshmërisht në të 12 njësitë zgjedhore. Për rrjedhojë, zgjedhësit nga diaspora mund të organizohen pa vështirësi dhe duke bashkëpunuar edhe me zgjedhës të njësisë zgjedhore përkatëse me banim të përhershëm në Shqipëri, të paraqesin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Listën me kandidatë të pavarur, në të cilën të përfshijnë kandidatë nga qytetarë emigrantë. Në këtë mënyrë emigrantët, diaspora fiton dhe arrin të ushtrojë cilësinë e subjektit zgjedhor, të barabartë për efektin ligjor që e shoqëron me atë që legjislacioni i ynë ju njeh partive politike.
Mundësia që krijon miratimi i ndryshimit në Kodin zgjedhor për qytetarët për të qënë subjekt zgjedhor, që garon me Listë me kandidatë të pavarur në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë është në të njëjtën kohë edhe mundësi për përfaqësimin e disporës në Kuvendin e Shqipërisë me deputetë të saj. Se sa e suksesshme mund të jetë diaspora në shfrytëzimin e kësaj mundësie kjo, për mendimin tim nuk varet vetëm prej saj. Së pari mundësitë e saj kufizohen nga mundësitë që do t`ju krijohen emigrantëve për të votuar nga jashtë territorrit të vendit me ndryshimet që pritet të bëhen në Kodin zgjedhor. Megjithë këtë është shumë e rëndësishme të theksohet se faktor me efekt kryesor nuk është numri i zgjedhësve emigrantë, që do të mund të votojnë për Listën me kandidatë të pavarur, por është mënyra se si diaspora do t`i qaset mundësisë që krijon kjo listë. Kjo do të thotë se edhe në rast se Kuvendi nuk do t`i miratojë ndryshimet që kërkohen për të bërë të mundur që në zgjedhjet parlamentare 2025, të votohet edhe nga jashtë territorit të vendit, në rast se miratohet e drejta e qytetarëve për të garuar me Listë me kandidatë të pavarur, në Kuvendin e Shqipërisë, që do të dalë nga zgjedhjet e vitit 2025, diaspora i ka të gjithë mundësitë dhe shancet për të qenë e përfaqësuar me deputetë që do të zgjidhen nga Lista e kandidatëve të pavarur, të cilën ajo mund dhe duhet ta hartojë në bashkëpunim edhe me zgjedhësit e që banojnë në Shqipëri. Votues potencial i një Liste të tillë me kandidatë të pavarur, pjesë të cilëve do të jenë edhe kandidatë nga diaspora nuk janë pak në Shqipëri. Votuesi i emërtuar “gri” është një numër i konsiderueshëm. Vota e tij, si rregull priret të shkojë tek kandidati më i mirë, të cilin diaspora dhe qytetarët e kanë shumë më tepër të mundëshme për ta identifikuar dhe futur në garë se sa partitë politike.