Kunati i Rezart Taçit, Artur Balla, është një prej personave që u arrestua me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se është i përfshirë në një skemë të pastrimit të parave.
Balla njihet si një nga njerëzit më të besuar të biznesmenit të naftës, i cili në momentet që flasim është shpallur në kërkim nga SPAK, në bashkëpunim me Interpol.
Po ashtu, Balla është djali i gjyqtares së Tiranës Dhurata Balla, e cila dha dorëheqjen nga detyra, pasi KPK i la asaj barrën e provës për justifikimin e pasurisë, gjatë procesit të Vetingut.
Dhurata Balla e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar deri në vitin 2013 si gjyqtare në Gjykatën e Krujës. Prej vitit 2013, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Tiranës, ndërkohë që në qershor të këtij viti, pasi refuzoi që të vazhdonte procesin e Vetingut, KPK e përjashtoi atë nga sistemi i drejtësisë për 15 vite.
SPAK në bashkëpunim me antimafian italiane kanë kryer një operacion kompleks, ku është zbuluar një grup kriminal që synonte pastrimin e parave në vendin tonë.
Të përfshirë në këtë skemë janë disa shtetas italian, zvicerian, dhe biznesmeni shqiptar Rezart Taçi. Mësohet se ky i fundit përmes dy të besuarve të tij Artur Balla dhe Bledar Lilo, ka dalë garant për futjen e 18 milionë eurove në vendin tonë, përmes një banke të nivelit të dytë, me qëllim pastrimin e tyre në vendin tonë, kundrejt përfitimit financiar.
SPAK ka lëshuar 3 urdhër arreste, dy prej të cilave janë ekzekutuar, ndërsa Taçi vetë nuk është mundur që të vihet dot në pranga.
Pasi këto para të futeshin përmes bankave në vendin tonë, transaksion që është kryer pjesërisht, synohej që të transferoheshin drejt shteteve të tjera.
Vetë Taçi do të përfitonte një shumë të caktuar, në finalizimin e kësaj transferte.
Lajmi bëhet i ditur dhe nga mediat italiane, ku sipas tyre i është dhënë masa e arrestit të shtëpisë sipërmarrësit 90-vjeçar Francesko Zummo, kontabilisti Fabio Petruzzella dhe shtetasit Daniele Castagalli.
Sipas mediave italiane, Francesco Zummo, 90 vjeç, nga Palermo, është i dyshuar si bashkëpunëtor i ish-kryebashkiakut mafioz Vito Ciancimino, i cili vdiq në vitin 2002.
Sipërmarresi italian Zummo dyshohej se fshihte një pjesë të pasurisë të ish-kryebashkiakut të Palermos dhe shoqëroi dy herë fëmijët e Cianciminos në Kanada, duke i ndihmuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.
Lexo edhe lajmin:
https://www.faxweb.al/operacioni-i-madh-mes-spak-dhe-antimafias-italiane-i-perfshire-nje-ish-kryebashkiak-dyshohet-se-po-pastroheshin-parate-e-tij/