Mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza është kthyer në makthin më të madh të banorëve të fshatit Gjazë në njësinë administrative Krutje të bashkisë Lushnjë. Në këto temperatura përvëluese kanalet e bllokuara e të papastruara kundërmojnë erë e janë kthyer në burim infeksioni, shprehen banorët teksa nuk fshehin zhgënjimin që janë lënë në mëshirë të fatit dhe askush nuk u jep rrugëzgjidhje për këtë problematike shumëvjeçare.
Ata tregojnë se për 3 dekada kanë funksionuar me gropa septike dhe pavarësisht një investimi të 7 viteve më parë situata vijon të jetë e pandryshueshme.
Janë të shumta familjet që ankesën e tyre e kanë çuar edhe më tej, përveç bashkisë kanë kontaktuar dhe deputetin e zonës Erion Braçe i cili u ka thënë se kanalet e bllokuara t’i pastrojnë vetë dhe pse janë taksapagues të rregullt.
Falë emigracionit ndërtuam shtëpi dhe biznese thonë banorët ndërsa tani vetëm për shkak të mungesës së kanalizimeve vuajmë kundërmimin e pakëndshëm të ajrit duke i bërë të ndihen të turpëruar përballë miqve e vizitorëve. Por mbi të gjitha, theksojnë ata, është e papranueshme që të investosh kaq shumë, të paguash taksa e të jetosh në këto kushte skandaloze.