Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konfirmuar në detyrë Prokurorin në Prokurorinë e Përgjithshëm, Sokol Stojani. Gjatë seancës dëgjimore në KPK, ILDPKI theksoi se Stojani ka bërë deklarime të sakta në përputhje me ligjin, ka burime financiare për të justifikuar pasurinë dhe nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesit.
Ndërkohë Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar (DSIK ) ka dërguar një raport të arsyetur për Stojanin ku e quante të përshtatshëm për të vazhduar detyrën, për faktin se nuk ka kontakte të papërshtatshme. Ai ka treguar se ka aftësi në organizimin e kohës së punës dhe është vlerësuar shumë mirë nga Prokurori i Përgjithshem për të përballuar ngarkesën e punës dhe ka bërë një punë të mirë me cilësi.
Nuk është marë asnjë masë disiplinore ndaj tij, ndaj tij ka pasur 7 denoncime pranë KPK-së, disa nga kallëzimet janë bërë nga ish-ministri Fatmir Mediu dhe një ish-prokuror Tom Dedac. Kujtojmë që Arta Marku në shtator i kërkoi Prokurorit Sokol Stojani që të hetonte 10 kolegët e tij për çështjen “Shullazi” por ky i fundit nuk ka pranuar, ndaj edhe e shkarkoi.