Një konflikt ka ndodhur mesditën e somte në zonën e Mamurrasit, ku ka agravuar deri në kanosjen e disa punonjësve me armë.
Mësohet se policia ka vënë në pranga shtetasin Arjan Dervishi, i cili është konfliktuar me disa punonjës, pasi ka kundërshtuar shtrimin e rrugës në një lagje të Mamurrsit.
Mësohet se Dervishi u ka dalë para punonjësve me armë, tipi ‘shutgan’, ku pas përplasjes me këta të fundit është arrestuar nga policia.
Ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Kërcënoi me armë gjahu, punonjësit e një firme private, të cilët po merreshin me shtrimin e një rruge, pasi pretendonte se ky territor ishte pronë e tij, kapet në flagrancë 48-vjeçari.
Sekuestrohet arma e gjahut “Shotgun” dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, pas marrjes së njoftimit, rreth orës 12:00, se në fshatin Shpërdhet, një shtetas po kanoste me armë gjahu, disa punonjës të një firme private, të cilët po merreshin me shtrimin e rrugës së gurorëve në këtë fshat, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme dhe i veprimeve të shpejta operacionale, është kapur në flagrancë dhe është shoqëruar në Komisariat, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, shtetasi A. D., 48 vjeç, banues në Mamurras.
Në momentin e ndërhyrjes, Policia i ka sekuestruar 48-vjeçarit, armën e gjahut “Shotgun” dhe municion luftarak.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se 48-vjeçari, për shkak se pretendon pronësinë mbi këtë territor, ka kërcënuar me armë gjahu, punonjësit e një firme private, të cilët në kuadër të një projekti të miratuar nga bashkia e Kurbinit, po merreshin me shtrimin e rrugës së guroreve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.