Gjatë këtyre ditëve, në media është diskutuar shumë për faktin se kur do largohen nga detyra ministrat teknikë të zgjedhur nga PD, pas marrëveshjes së 18 majit mes Ramës dhe Bashës.
Ndërkohë sot, zv.kryeministrja teknike, Ledina Mandia shprehet se ministrat teknikë të PD-së do të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e qeverisë së re.
Në një prononcim për gazetën Panorama, Mandia shprehet se është në dëshirën e gjithë secilit që pas përfundimit të zgjedhjeve, të qëndrojnë ose të largohen.
“Në kuptim të Kushtetutës, ministrat janë në detyrë deri në krijimin e qeverisë së re. Vetë VKM 473 përcakton se Task-Forca do të ushtrojë funksionet e saj deri në mbyllje të procesit zgjedhor. Misioni i ministrave teknikë vazhdon edhe pas datës 25 apo 26 qershor, deri në finalizim të procesit zgjedhor dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Pas kësaj është në dëshirën e secilit nëse qëndron apo ikën sepse, sipas Kushtetutës, e thashë ministri qëndron deri në ardhjen e qeverisë së re”, thotë Mandia.
Më tej, Mandia shprehet: “mendoj se në fund të këtij procesi duhet bërë një analizë se cili ishte roli dhe çfarë arritën ministrat teknikë dhe Task-Forca, duke dalë dhe me rekomandime për të ardhmen, sepse kjo i shërben të mirës publike. Koha e ushtrimit të kësaj detyre ishte shumë e shkurtër dhe do të duhej të ishte të paktën 3 muaj apo 6 muaj për të realizuar këtë proces monitorimi. Në një muaj pati shumë vështirësi operimi. Si ministrat teknikë, ashtu dhe drejtorët teknikë bënë maksimumin për të realizuar këtë objektiv. Për mua misioni ynë ishte i suksesshëm, sepse edhe në 1 muaj kohë ne arritën të frenonim fenomenin e përfshirjes së administratës në fushatë zgjedhore, nuk kishte ndodhur më parë.
Unë jam e keqardhur që nuk kam marrë asnjë rast denoncimi të vërtetë që para nga burime kriminale të jenë përdorur për këtë apo atë subjekt politik. i kam kërkuar Policisë që të më gjejë fakte dhe prova për akuzat që janë bërë në publik për blerje votash apo përdorime të parave të drogës në zgjedhje dhe nga Policia më janë përgjigjur se nuk ka raste të tilla. Ne u jemi referuar raporteve që na kanë ardhur nga Policia dhe ato konsiderojmë zyrtare. U kam kërkuar forcave politike që akuzat për çdo rast të na i sjellin të dokumentuara me foto dhe video, por asgjë nuk na ka ardhur.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama nga ana tjetër, mbrëmjen e kaluar, ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Top Story”, të gazetarit Sokol Balla, ka folur për largimin e pritshëm të ministrave teknikë.
Rama tha se nuk do t’i shkarkonte nga detyra, megjithatë shtoi se po prêt që ministrat teknikë të PD-së të largohen vetë.
“Unë nuk premtoj se do i shkarkoj, kam thënë se do largohen pas zgjedhjeve dhe besoj se kjo do të ndodhë përpara se të ndodhemi në kushtet kur duhet të gjejmë një rol tjetër. Emërimi i tyre ishte i nevojshëm ashtu sic shkuan gjërat, në kushte të vështira për të lehtësuar barrën e tensionit dhe paranojës që ka cdo opozitë kur hyn në një fushatë të vështirë. Mendoj se është e paarsyeshme për të gjithë, jo thjesht nga këndvështrimi im. I jepen edhe pak ditë për inerci pas zgjedhjeve, edhe kjo është e kuptueshme.
Unë nuk mund ta gjykoj, s’jam gjykatësi i performancës së ministrve teknikë. E kam thënë se nga ai moment nuk do përfshihesha më në atë proces dhe fitova lirinë për të bërë fushatën pa patur nevojë të kujdesem për procesin.”, tha Rama. (D.D/Shuplaka)