U mendua si mundësia e artë për të shpërthyer pasi mbeti në hije te Bayern Munchen, por Xherdan Shaqiri pati sezonin e tij më të keq te Inter, gjithsesi për këtë sulmuesi nuk i vë faj askujt.
Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport” lojtari i lindur në Gjilan tregoi se nuk ishte lëvizje e gabuar duke shkuar te Inter por ishte momenti i gabuar ku shumë gjëra nuk funksionin tek zikaltrit, madje edhe në Itali.
Tre vjet më vonë situata është ndryshe, Inter është ngritur, po ashtu edhe niveli i Seria A, për këtë Shaqiri u shpreh optimist.
“Unë do të ndryshoja kohën kur kam luajtur, sepse ndoshta kam ardhur te Inter në kohën e gabuar. Sot është një tjetër klub, është një tjetër kampionat. Është rritur shumë krahasuar me tre vjet më parë”, tha këmbëmajti.
“Milano është i bukur. Kam jetuar në qendër të qytetit dhe aty gjeta veten time, isha në një vend të mrekullueshëm. Nuk mund të flas keq për Inter, akoma e mbaj mend mikpritjen që tifozët më dhanë sapo mbërrita. Ishte çmenduri…e paharrueshme”, shtoi ai më tej.
“Unë u kënaqa në Seria A dhe Italia është një vend i mrekullueshëm. Jam i lumtur te Liverpool, por kurrë nuk mund të thuash kurrë në futboll”, deklaroi lojtari i Liverpool duke lënë të hapur një mundësi rikthimi në Milano me fanellën zikaltër, shkruan SP.
Ndër të tjera ai foli edhe për eksperiencën dhe objektivat e Liverpool për këtë sezon, “Nëse luani në një ekip të madh, domosdoshmërish do synoni që të fitoni gjithçka. Liverpool kërkon të fitojë Premier League dhe Champions League këtë sezon”, përfundoi Xherdan Shaqiri.