Një njërën anë, humbjet nga kursi i këmbimit, në tjetrën, rritja e pagës minimale, po i bëjnë eksportet shqiptare jokonkurruese në tregjet ndërkombëtare.
Bizneset në sektorin e fasonit po lajmërojnë se ka filluar largimi i klientëve.
Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve, thotë se rritja në një kohë të shkurtër e kostove që po vijnë nga kursi i këmbimit dhe paga minimale, i kanë mbinxehur fabrikat në Shqipëri, që prodhojnë për eksport, pasi nuk po munden t’i kalojnë ato në çmime.
Vitin e kaluar, humbjet nga kursi i këmbimit ishin 5-6% e të ardhurave nga eksporti. Paga minimale në harkun kohor të një viti është rritur me 33%, teksa nga viti 2017 deri më 2021 ishte rritur me 25%.
Në pranverë të vitit të kaluar, paga minimale ishte 30 mijë lekë.
Me vendim të posaçëm, qeveria e rriti atë në prill në 32 mijë lekë. Me një vendim të dytë në shtator të vitit 2022, paga minimale u bë 34 mijë lekë.
Me VKM-në e fundit, që hyri në fuqi më 1 prill, arriti në 40 mijë lekë. Rritja e fundit ishte edhe më agresive, me 6 mijë lekë, pasi pragu ndryshohej me nga 2 mijë lekë.
Bizneset e sektorit fason janë të alarmuar, pasi rritja e pagave ka hyrë në fuqi pas negocimit të çmimeve me furnitorët.
“Brenda një viti kemi negociuar shtrenjtimin e çmimeve për çdo sezon, nuk mund ta bëjmë më”, – tha Eva Laro, e cila drejton fabrikën e këpucëve, ProDyn.
Znj. Laro tha se, rritja e pagës minimale erdhi në një moment të vështirë kur sezoni nisi me rënie të porosive, për shkak tkurrjes të ekonomisë globale.
Ajo thotë se shumë fabrika do të përballen me vështirësi për shkak të rritjes së kostove të pagave dhe rënies së porosive.
Ndërkohë që është rritur interesi nga industria e modës në Europë për të zhvendosur prodhimin në Indi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Kryetari i ProEksport Albania, Edvin Prençe, pohoi se nga ndryshimet, përfituesi më i madh do të jetë shteti, ndërsa rritja do të rëndojë kostot e tyre.
“Me rritjen nga 1 prilli të pagës minimale, gradualisht do të rritet paga edhe për punonjësit që paguhen 40,000 lekë, pasi nuk mund të jetë në nivele të njëjta me një punonjës që ka përvojë profesionale dhe produktivitet.
Nivelin e pagës minimale e kalojnë 30 deri në 40% e punonjësve të sektorit. Pra rritja dhe kostoja e një biznesi të sektorit do të jetë më e lartë.
Kjo do të jetë gropa më e madhe për sektorin fason. Rritja e pagës minimale rrezikon të kthehet në bumerang. Në kahun tjetër është e nevojshme të bëhet kjo rritje.
Por që barra të mos rëndojë vetëm te biznesi, duhet të shoqërohet me lehtësi fiskale, me qëllim që të rritet produktiviteti dhe konkurrueshmëria, në cilësi dhe makineri të reja”, tha ai.
Z.Prençe tha se, përveç rritjes së kostove nga paga minimale, rënia e euros është një shqetësim madhor për industrinë, kur në shtetet fqinje si Serbia apo Maqedonia e Veriut, kursi është i fiksuar dhe i mbrojtur me ligj.
Mungesa e punonjësve, produktiviteti i ulët, amortizimi i impianteve prodhuese dhe rritja e karburantit që ndikon në shtimin e kostos së transportit të punonjësve dhe të mallrave po mban peng produktivitetin.
“Këto elemente na bëjnë jo vetëm të humbasim konkurrueshmërinë në Ballkan, por edhe kontratat afatgjatë dhe solide me markat europiane, që po orientohen drejt vendeve afrikane apo Uzbekistan me çmime më të ulëta dhe më shumë punonjës se manifaktura ‘Made in Albania’ e veshjeve dhe këpucëve”, pohoi Prençe.
Volumi i eksporteve në trend rënës
Rritja në vlerë e eksporteve, për shkak të çmimeve të larta në dy vitet e fundit, sidomos pas luftës në Ukrainë, ka zbehur vëmendjen mbi eksportet në sasi, të cilat janë me rënie që prej vitit të kaluar, duke vijuar edhe në fillim të këtij viti.
INSTAT raportoi se në dymujorin e parë 2023, eksportet e mallrave arritën vlerën 80 miliardë lekë, me rritje vjetore 11,2%, por sasia e tyre është përkeqësuar.
Në janar-shkurt 2022, nga të dhënat zyrtare, mësohet se sasia e eksporteve ka shënuar rënie me 2.4%. Në këtë periudhë u eksportuan 565,6 mijë tonë mallra, nga 579,5 mijë tonë në dymujorin e parë 2022.
Grupi me volumin më të madh të eksporteve janë mineralet dhe lëndët djegëse, të cilat dominojnë 62% të eksporteve në sasi. Ky grup shënoi rënie të sasisë me 3.5% në dymujorin e parë.
Por në përqindje, rënien më të madhe e ka shënuar grupi “Produktet kimike dhe plastike” me 39% në krahasim me dymujorin e parë të vitit 2022, më tej prodhimet e drurit dhe të letrës shënuan rënie të sasive me 27%.
Shqetësues mbetet fakti se rënia ka përfshirë edhe grupin e tekstileve dhe këpucëve me 3.5% këtë tremujor. Në dymujorin e parë 2023 u eksportuan 9,491 tonë veshje dhe këpucë, nga 9,831 tonë vitin e kaluar në të njëjtën periudhë.
Fasonët pohuan vështirësi në dymujorin e parë 2023. Fabrikat raportuan ikje të klientëve, për shkak se ata nuk po pranojnë çmimet e reja të prodhimit në Shqipëri.
Situata duket se do të përkeqësohet me rritjen e pagës minimale, e cila do të rrisë kostot e aktivitetit më tej.
Rënia e eksporteve në sasi nisi që vitin e kaluar. Më 2022 u eksportuan 11% më pak mallra se në vitin 2021.
Megjithëse rënia ishte e përqendruar në grupin e lëndëve djegëse dhe mineraleve që u ndikuan nga çmimi i ulët i naftës në tregjet ndërkombëtare, ritmet e rritjes ishin shumë të ulëta në grupet e tjera që përfaqësohen nga industria përpunues.
Eksportet e tekstilit dhe këpucëve në sasi u rritën me vetëm 6% vitin e kaluar, duke zbritur nga rritja dyshifrore në të kaluarën.
Eksportuesit shqiptarë kanë rritur ankesat rreth kostove të larta që po vijnë nga paga minimale, efektet negative të zhvlerësimit të euros dhe mungesën e fuqisë punëtore.
Të tre këto elemente po godasin sektorin e prodhimit, i cili e ka të bazuar aktivitetin në krahun e lirë të punës.