Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar me një status në rrjetin social Facebook në lidhje me një deklaratë të të dërguarit të SHBA-ve për dialogun dhe Kosovë-Serbi Richard Grenell.
Ky i fundit deklaroi se Kurti i kishte premtuar heqjen e taksës me Serbinë ndërsa Kurti me anë të statusit e përgënjeshtron këtë gjë teksa tregon edhe dëshmitarët ne takim gjatë bisëdës me Grenell.
Postimi i plotë
“Me ambasadorin amerikan në Berlin, z. Richard Grenell, jam takuar dy herë.
Takimi i parë ishte më 9 tetor 2019, në ora 13:45, në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë. Takimi i dytë ishte më 23 janar 2020, në ora 10:30, në selinë qendrore të LVV. Në takimin e parë me mua ishte z. Glauk Konjufca.
Në takimin e dytë me mua ishin z. Glauk Konjufca dhe znj. Fitore Pacolli-Dalipi. Të dy herët, z. Grenell e kam shikuar në sy. Por, asnjëherë nuk i kam thënë që do ta heqim tarifën 100% pa reciprocitet.
Është për t’u përshëndetur dhe inkurajues deklarimi i qartë i sotëm i Ambasadorit Grenell kundër planeve për shkëmbim territorial”.