Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me deklaratën e Kryeministrit Shqiptar Edi Rama ku i pyetur për hapjen e kufirit me Kosovën tha: “Po, dakord, patjetër, ne jemi gati, por po presim të koordinohen në Kosovë të gjithë që ta dimë që me kë do të flasim atje ndërkohë që do të hapim apo s’do ta hapim”.
Në një konferencë për media Kurti tha se “unë nuk kam dilema për këtë gjë, kush ka dilema duhet të pyeten ata”.
“Unë nuk e kam parë atë emision, por ne jemi të interesuar se porsa të hapen sadopak kushtet ta bëjmë këtë hapje të kufirit, veçse ta dini që vendimet tona, nuk janë politike, nuk janë demokratike sa janë shkencore, sepse bazohen në rekomandimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike.
Unë jam kryeministër në detyrë, unë nuk kam dilema për këtë gjë, kush ka dilema duhet të pyeten ata. Dje kam takuar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, ku kemi biseduar për shumë gjëra, ndër të cilat edhe hapja e kufirit”, tha Kurti.