Në përpjekje për tu anëtarësuar sa më parë në Këshillin e Evropës Albin Kurti ka bërë dy premtime.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe kalimi i projekt kodit civil janë synimet që Kurti i bëri nga Gjermania ku ishte i ftuar në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate.
Teksa asociacioni i komunave është një kusht edhe në lidhje me dialogun Kosovë Serbi, kodi civil ka mbetur pezull nga viti i kaluar kur disa deputetë të vetëvendosjes dolën kundër tij, pasi sipas tyre ai u hap rrugë martesave të së njëjtit seks.
Kurti tha se për kodin civil do të angazhohet personalisht dhe do ta krijojë shumicën parlamentare, duke i bërë thirrje edhe opozitës.
“Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë Mali i Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtës gjini.”- tha Albin Kurti duke rihapur edhe një herë diskutimet si në politikë edhe në shoqëri.
Projekt kodi civil pritet të rikthehet në kuvendin e Kosovës në muajin maj, ndërsa ende nuk është e qartë si do ja arrijë Albin Kurti të bëjë shumicën parlamentare kur për këtë çështje janë [pozicionuar hapur disa deputetë të tij.