Nga Blendi Fevziu
Opozita shqiptare ka vendosur të hedhë një hap më tej në kërkesat e saj që po i mbështet me një protestë thuajse 3 javore përpara selisë së qeverisë. Lideri i PD, Lulzim Basha ka bërë publike përfundimet e takimit të partive të opozitës që sipas tij përmblidhen në dy pika. Ai është shprehur fjalë për fjalë në fjalimin e tij për vendimet që janë marrë në takimin e djeshëm:
“E para; organizim në të gjithë territorin e Shqipërisë të Kuvendeve Qytetare për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme. Këto kuvende do të bashkohen qytetarë, për ti dhënë thellësi dhe qendresë qëllimit tonë madhor, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike.
Vendimi i dytë i opozitës së bashkuar nuk është bojkoti i zgjedhjeve. Nuk ka për të patur bojkot zgjedhjesh, sepse zgjedhje fasadë me krimin, nuk do të ketë. Rezistenca civile, mosbindja civile, do të pengojë me të gjitha mjetet popullore, qytetare, demokratike dhe paqësore, zgjedhjet me krimin, zgjedhjet me drogën dhe zgjedhjet fasadë.“
Edhe pse fjala e Bashës është artikuluar në një tubim në çadrën e protestës, që e bën atë më emocionale, duket qartë që opozita ka kaluar nga kërkesa për qeveri teknike në veprimet konkrete për të mos pasur zgjedhje më 18 Qershor. Pra thënë ndryshe, PD nuk ka deklaruar që s’do marrë pjesë në zgjedhje, por ka thënë që në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje.
I pyetur thuajse në çdo lidhje direkt në Opinion, Basha vetëm sa e ka rikonfirmuar këtë vendim dhe vendosmëri. Por pyetja që shtrohet më tej dhe që Basha nuk ngutet t’i japë përgjigje është se si pengohen zgjedhjet dhe nëse mund të zhvillohen zgjedhje pa opozitën?
E para mospjesëmarrja në zgjedhje është një vendim i vështirë që kërkon argumentim të saktë, konsensus publik dhe mbi të gjitha aftësi për të përballuar presionin ndërkombëtar dhe për të qenë bindës me ta. Nëse argumentat nuk qëndrojnë beteja me publikun në vend dhe jashtë është e humbur. Në këtë rast, pengimi i zgjedhjeve nuk ka vlerë. Ndaj Basha dhe opozita kanë hyrë në një sfidë që kërkon dokumentim dhe argumentim të plotë dhe bindës të të gjitha pretendimeve të tyre.
E dyta është mënyra se si do pengohen zgjedhjet. Ligji shqiptar i hartuar nën presionin e përhershëm që opozita mund të bojkotojë zgjedhjet është ndërtuar në mënyrë të tillë që i jep më shumë mbështetje mazhorancës. Pra në rast bojkoti ligji përcakton gjithë instrumentat ligjorë se si mund të zhvillohen zgjedhjet. Në këtë kontekst, Basha mban qëndrimin që nuk ka bojkot të zgjedhjeve, sepse këtu opozita mund të lihej edhe jashtë, por ka deklaruar që nuk do ketë zgjedhje. Për këtë rrugë, opozita duhet të gjejë mekanizma që bllokojnë vijimin e procesit dhe që Basha i ka klasifikuar si mosbindje civile dhe metoda të tjera. Se cilat janë këto metoda pritet të shihen. Varet sërish se sa bindëse do jetë opozita në publik për të fituar konsensus dhe për të bërë për vetë qytetarët. Nëse dështon atëherë dështon edhe mosbindja civile.
Në të dyja rastet Basha ka hyrë në një moment tejet delikat të karrierës së tij. Ai ka vënë bast me të ardhmen e tij politike dhe rrugë të ndërmjetme nuk ka. Ose do bindë publikun dhe fiton, ose nuk e arrin këtë dhe dështon.
E treta, jashtë kërcënimeve të Bashës dhe jashtë indiferencës së Ramës, zgjedhje pa opozitën vështirë se mund të zhvillohen. Që minimalisht 30 % e qytetarëve që votojnë të mbeten jashtë zgjedhjeve, qoftë edhe falë vendimit që kanë marrë ata vetë, është shumë e rëndë. Parë nga sot, duket sikur kjo është thjeshtë çështje procedure, por është shumë më e thellë se sa kaq. Zgjedhjet e prishura kanë qenë shkak për trazira civile tronditëse në vend. Imazhet e këtyre trazirave janë ende të gjalla në sytë e shqiptarëve. Edhe pse tronditja e shoqërisë nuk mund të arrijë në ato përmasa, vendi do dëmtohet thellë. Delegjitimimi i politikës do jetë më i thellë; investimet do bllokohen krejt, institucionet mikse do prishen, ekonomia do dëmtohet dhe debati politik që edhe tani është i ashpër do jetë konfrontues. Kur dëmtohet fondamenti i demokracisë nuk është më çështje numrash, as përqindje mbështetësish, por thjeshtë çështje kohe. Pra se sa kohë ende një klasë politike do rrezistojë derisa të gremiset. Dhe rrezistenca është çështje muajësh jo vitesh. Në këtë analizë duhet ta shohë edhe mazhoranca. Këtë moment ajo duket sikur ka me vete ndërkombëtarët dhe bazën ligjore, por nëse humbet votuesit, do t’i humbasë të dyja këto. Ndërkombëtarët ndryshojnë në bazë të reagimit popullor dhe ligji, nuk ka vlerë nëse qytetarët nuk dalin në zgjedhje.
Shqipëria ka hyrë në një udhëkryq të vështirë dhe e vetmja gjë që nuk ndihmon është arroganca politike. Çdo vendim i thjeshtë sot, do jetë më i komplikuar nesër. Dhe kjo është ajo që e kemi mësuar të gjithë nga krizat e këtyre 26 viteve…