Një vit pas marrëveshjes së 17 Majit, çpo ndodh sot me PD-në, PS-në dhe LSI-në. A gaboi Lulzim Basha kur u fut për të bërë marrëveshje me Edi Ramën. Kjo ka qenë tema e diskutimit të sotëm në studion e lajmeve në ‘’Fax News”.
Të ftuarit Bledian Koka dhe Ergys Mërtiri kanë pasur qëndrime të ndryshme lidhur me qëllimin e Lulzim Bashës se pse u fut në çadër. Për Mërtirin qëllimi i Bashës ishte garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërsa Koka thotë se Basha doli nga marrëveshja si një pazarxhi i pacipë.
‘’Marrëveshja ka qenë në kushtet e padijenisë së çfarë do të ndodhte me zgjedhjet. Në gjykimin tim përfshirja e PS-së në blerjen e votave ka ndryshuar komplet në atë që ka ndodhur më vonë.
Fillimisht opozita hyri me idenë, që nuk mund ti merrte dot 70 +1 mandate. Marrëveshja krijoi një lojë që secili të hynte në garë vetëm, dhe situate të vendosej pas zgjedhjeve. 74 mandatet përmbysën gjithçka”, u shpreh Mërtiri.
‘’Marrëveshja e 17 majit është produkt i një aksioni qeveritar. Në çadër demokratët kanë qëndruar me orë të tëra. Ajo që prodhoi çadra ishte tregues real i vendosjes në diskutim të qeverisë Rama që në mandatin e saj të parë.
Ajo që prodhoi 17-18 maji është një gabim total i Lulzim Bashës. Ai shkoi në marrëveshje si politikani që arriti ti ulte kokën Edi Ramës, dhe doli prej andej me këpucët e një pazarxhiu të rëndomtë.
U fut për të marrë kontrollin e zgjedhjeve, dhe kjo nuk ndodhi. U fut për të kontrolluar zgjedhjet dhe mori kreun e OSHEE-së, që nënkupton marrjen e parave dhe të tenderave. Unë këtu nuk i vë shumë faj Edi Ramës, pasi ai pushtetin e tij e ka krijuar duke vjedhur votat dhe duke u lidhur me të fortët. Ajo që ndodhi më pas është një alibi e shëmtuar dhe e pacipë e Lulzim Bashës”, u shpreh Koka.
Po çfarë e detyroi Bashën që të ulej në këtë marrëveshje. Sipas Mërtirit kanë qenë ndërkombëtarët ata që e kanë kërkuar dhe shtrënguar që Basha të pranonte paketën McAllister.
Koka nuk mendon njësoj, sipas tij Basha u fut në zgjedhje me qëllimin e vetëm që të pastronte partinë nga kundërshtarët si Joefina Topalli, Astrit Patozi apo Ridvan Bode.
Pjesë nga debati:
Mërtiri: Të gjithë e kanë pranuar paketën Mc Allister +, përveç kryeministrit Edi Rama
Koka: Paketa Mc Allister nuk parashikonte që Basha të merrte drejtorin e OSHEE-së. Ka qenë zoti Idrizi ai që ka kërkuar që Rama dhe Basha të qëndronin vetëm në mënyrë që të zgjidhnin problemin. Dhe me humor zoti Idrizi ka thënë se ajo marrëveshje do të bëhej për t’iua ‘’futur” gjithë të tjerëve. Pas kësaj Basha u ngut dhe me listat, duke çuar vetëm gjysmat e emrave në KQZ. Basha i kishte edhe gurin edhe arrën.
Mërtiri: Pse e kishte edhe gurin dhe arrën
Koka: Opozita mund të bllokonte zgjedhjen, jo më kot Rama u nis me urgjencë nga Elbasani për të arritur këtë marrëveshje. Nga humbës ai u kthye në fitimtar. Basha u fut në marrëveshje për të shpëtuar blerjen e zgjedhjeve, dhe ironia më e madhe është fakti se zoti Basha mund të bëhej kryeministër duke humbur. I mjaftonin vetëm 56 mandate plus mandatet e LSI-së.
Mërtiri: Basha pavarësisht çadrës nuk arriti dot që të merrte qeverinë teknike
Koka: Zoti Demiraj që ishte në krye të ministrisë së brendshme thoshte se merrte me vete kallash kur shkonte në aksione, pasi nuk kishte mbështetjen e Policisë. Si mund të marrësh ti ministrin e brendshëm, kur nuk ke marrë kreun e policisë.
Mërtiri: Me Ramën kryeministër njerëzit ishin të frikësuar. Arritje e çadrës ishte përcarja e koalicionit qeverisës PS dhe LSI.
Koka: Meta nuk u fut në çadër pasi ai pa paqëndrueshmërinë e Lulzim Bashës. E ka thënë Meta vetë, unë po e citoj. Ilir Meta ka pritur sinjale të forta nga Lulzim Basha, të cilat nuk i ka marrë, dhe më pas e shty që të pranonte postin e presidentit.
Për mua LSI-ja i ka qëndruar deri në fund presionit, nëse LSI do të kishte kolaicion me Ramën, Basha le të rrinte në çadër edhe 35 muaj. Basha është futur në zgjedhje me një qëllim primar për të pastruar Partinë Demokratike nga Jozefina Topalli, Ridvan Bode apo Astrit Patozi. Basha është fiks si ajo shprehja u nis për të hequr vetullat dhe nxorri sytë.
Mërtiri: Unë nuk shoh se në këtë situatë duhet të mbajë njeri përgjegjësi. Basha u mundua që të luante me bojkotin, po ndërkombëtarët nuk e pranuan këtë, nuk funksionoi. Për mua ajo që nisi të bënte Basha ishte interesante. Ai çau një koalicion si ai PS-LSI-PDIU, pra krijoi mundësinë që të gjitha palët të dilnin më vete në zgjedhje. Ok, kjo nuk rezultoi e suksesshme për shkak të sasisë së madhe të blerjes së votave.
Koka: Ka zëra që këta të dy janë ende bashkë edhe sot pas marrëveshjes së 17 Majit. Unë shoh sot se njerëzit largohen nga vendi për shkak se nuk shohin këtu asnjë mundësi te opozita, nuk shohin asnjë alternativë. Unë nuk dua të besoj që Rama dhe Basha të jenë bërë bashkë edhe për rrëzimin e Fatmir Xhafajt.
Mërtiri: Unë nuk e besoj dot këtë, pasi sado probleme që të ketë brenda partisë, rënia e dy ministrave të brendshëm ka pasoja të rënda për vetë qeverinë.
(E.K/FAXWEB.AL)