Publicisti dhe shkrimtari i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, ka mbatur një qëndrim të ashpër ndaj deklarimeve te fundit të kreut të qeverisë shqiptare.
Në një intervistë për gazetën Mapo, ai shpreh dëshpërimin e tij se diskutimet për ndarjen e Kosovës vijnë për shkak të paaftësisë së burrave të shtetit që drejtojnë në vendet shqiptare.
“Shqiptaria dhe Kosova janë në duart e burrështetasve, të cilët të qenit pushtetarë e barazojnë me të qenit pronar i popullit dhe i vendit dhe andaj, sillen siç sillet Presidenti i Kosovës, i cili aq e nënvlerëson inteligjencën kolektive, sa paturpshëm pohon diçka thuajse absurde: se Serbia nuk e njeh Kosovën vetëm pse ajo nuk pranon ta marrë Luginën e Preshevës!”
Sipas tij, askush në Perëndim nuk e merr seriozisht Ramën.
“Duhet të jesh mbi mesataren idiot që të besosh se rishikimi i kufijve do u sjellë diçka të mirë shqiptarëve. Posaçërisht në rrethana kur mëmëdhe Shqipëria drejtohet nga burrështetas që vendin e kanë shndërruar në atdhe të krimit dhe nëntokës politike.
Madje, ngutja e disa qarqeve perëndimore dhe serbe, që sa më shpejt të arrihet marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, ka të bëjë edhe me nuhatjen e tyre se shqiptarët janë defaktorizuar dhe asnjëherë nuk kanë qenë më të dobët politikisht.
Sa u përket tensioneve në qeverinë shqiptare, ato nuk kanë të bëjnë as me interesin e Kosovës, as me atë të Shqipërisë, por me perversitetin e një Kryeministri që deputetëve u thotë: ‘gruas sime ia ngrënçi atë që nuk thuhet’!? Apo që i përqesh njerëzit me të meta fizike? Dhe, vallë, mund të besojë ndonjëri se një Kryeministër të tillë do e marrin seriozisht burrështetasit perëndimorë?!
Apo se mund t’i mbrojë interesat mbarëkombëtarë një kryeministër që nuk ai del të komunikojë njerëzishëm as me deputetët e Kuvendit të shtetit që drejton? Dhe, a mund të besosh se interesat e shqiptarisë mund t’i mbrojë një Kuvend si ai i Shqipërisë, e ku deputetët merren me punët e shtratit të njëri – tjetrit dhe ku përdorin fjalor nga i cili do turpëroheshin edhe pronarët e ndonjë shtëpie publike!?”, ka thënë më tej Mehmeti.