Nga Alteo Hysi
Historinë e Silvanës, po të mos e prekësh nga afër, atje në fshatin Ndërmenas të Fierit, ku vetëm pak metra ndajnë shtëpinë e familjes me banesën e fundit ku prehet trupi i saj, është e vështirë ta besosh. Po të mos kesh folur me familjarët e saj, që jetojnë me brengë dhe me merakun e pritjes, edhe të zhgënjyer edhe shpresëplotë si një kundërpeshë ndaj fatit të keq, do të të tingëllojë një trillim gazetash. Një telenovelë e stërfryrë nga një ndodhi e vogël province. Por nuk është kështu, sepse kjo histori është aq e gjallë, sa kur e njeh, të prek si të kesh ngacmuar një plagë të thellë.
Në Shtator të vitit 2014, Silvana Beqiraj u gjet e vrarë në një kanal në Lunel të Montpelier në Francë. Sipas autoriteteve franceze, trupi i përkiste 33-vjeçares Beqiraj nga fshati Ndërmenas i Rrethit të Fierit.
Sipas mediave franceze, dyshohej që e reja të ishte vrarë e më pas trupi i saj i pajetë të jetë hedhur në kanal. Pas publikimit të informacioneve se ajo mund të ketë qenë një viktimë e trafiqeve dhe e shfrytëzimit për prostitucion, nisën verifikimet për këtë fakt edhe nga policia shqiptare.
Ekspertiza mjekoligjore në Francë nuk ka nxjerrë një rezultat final lidhur me shkaqet e vdekjes. Kjo ekspertizë dështoi.
Sot, pas tre vitesh, ende nuk është zbardhur se si u vra Silvana Beqiraj… Kush e vrau dhe pse?
Ndërsa familjarëve të saj, prej tre vitesh askush nuk denjon t’i telefonojë, njoftojë, presë e sqarojë se çfarë ka ndodhur me hetimin…
Me historinë e saj u njoha krejt rastësisht, ndërsa me gazetaren britanike Julie Bindel udhëtonim në jug, në kërkim të informacioneve për rrjetet e trafikimit të vajzave në Shqipëri. Kolegia nga Fieri L.R ma përshkroi si një histori delikate, por që i duhej dhënë zë patjetër, nuk mund të groposej bashkë me trupin e Silvanës. Jo për aq kohë sa nuk është bërë drejtësi…
Ecëm gjatë në rrugët e ngushta të fshatit, ku reflektohej hapësira e një rrënimi social, ekonomik dhe moral të zonës. Duhet të zbresim, jemi afër shtëpisë së familjes Beqiraj por ku makina nuk mund të shkojë dot. Ka të gjitha tiparet e një shtëpie dhe familjeje tejet modeste, në nivelet e mbijetesës, por ku mikpritja dhe gëzimi i ardhjes së mysafirit, janë më të mëdha se sa gjëma që ka shprishur normalitetin e jetesës së tyre. Menjëherë nxjerrin gjithcka kanë për të pritur mysafirët. Edhe ushqimin e fundit.
Në shtëpi gjejmë fillimisht vetëm të ëmën, një grua në moshë që tani kujdeset edhe për dy fëmijët e mitur që Silvana la pas, bashkë me dy fëmijët e djalit të saj. Edhe gjyshe, edhe nënë…
Julien e ngacmon meraku se mos me pyetjet e saj mbi ngjarjen në Francë, do t’i lëndojë një plagë të vjetër dhe e nis bisedën me një keqardhje të madhe për çfarë u ka ndodhur, duke e pyetur të ëmën për kujtimet më të bukura që ruan nga Silvana: Si ishte ajo e vogël? Cilat ishin ëndrrat e saj të fëmijërisë?
Nuk e di nëse kjo pyetje ishte interesi i parë i Julie, për të njohur Silvanën, apo edhe një strategji profesionale për të krijuar mirëbesimin dhe afrimitet me të intervistuarën… Sidoqoftë, për të ëmën, ishte një pyetje që i ngrohu shpirtin…
“Kishte ëndrra shumë, por që ne nuk ia plotësonim dot…”,vijoi.
Fëmijët e vegjël të shtëpisë i largojnë në dhomën tjetër gjatë bisedës sonë.
“U kemi thënë se Silvana ishte e sëmurë. Nuk dinë gjë”, thotë e ëma, që edhe pa folur, duke të dëgjuar, nuk rresht së lotuari ndërsa në duar mban fotografitë e vajzës që prej tre vitesh nuk e ka më.
Kur afrohemi te vrasja dhe pyetjet rreth krimit, ajo tërhiqet, duke na thënë të presim sa të vijë i shoqi dhe i biri sepse “ata e dinë më mirë…”
Fillimisht refuzuan ta pranonin që vajza e tyre ishte viktimë e trafikimit por gjatë bisedës shfaqin bindjen dhe dyshimet e tyre për persona që mund të kenë gisht në vrasjen e vajzës.
Babai i Silvanës, që punon nga mëngjesi në mbrëmje si shofer, me hije të rëndë në dukje, por vetëm në dukje, tregon se shoqja e afërt e Silvanës, që u dha lajmin e keq, B.E, është person kyç në histori. Ai e cilëson si personin që ka dijeni për shkaqet që çuan në vrasjen e saj, madje edhe për personat që mund ta kenë vrarë.
B.E ishte personi që e priti Mehmetin në Francë kur shkoi të identifikojë trupin e Silvanës. Ai citon vajzën që sipas tij, në ato ditë i pati thënë: Silvana nuk po sillej mirë kohët e fundit! Duke lënë të kuptohet se ndoshta Silvana nuk po plotësonte më kërkesat e B.E-së lidhur me punën ku ajo e pati përfshirë.
Gjatë qëndrimit disa ditor në Francë, në 2014, babai thotë se konsullata shqiptare i mundësoi vetëm një përkthyese dhe asgjë tjetër, duke e trajtuar sipas tij me arrogancë e mospërfillje. Me të njëjtën mospërfillje që përball sot në dyert e institucioneve të drejtësisë ku çështja e Silvanës, me sa duket i përket së shkuarës, dhe veç shpirtit të familjarëve të saj, nuk shqetëson e trazon më askënd…
Trupi i Silvanës mbërriti në Shqipëri pas 7 muajsh nga dita e gjetjes dhe për këtë, familjarët thonë se iu deshën 6 deri në 7 mijë euro, që i morën borxh nëpër familjarë.
Për 7 muaj iu desh të prisnin që autoritetet t’u kthenin turpin e vajzës me pretendimin se po kryheshin ekzaminimet dhe hetimet, që në fakt nuk patën kurrë një përfundim…në tre vite asnjë lajm.
Babai tregon se në trupin e Silvanës nuk u gjetën shenja të dhunës fizike e se vajzën duhet ta kenë mbytur. Por autopsia dështoi dhe sot në shtëpinë e tyre, veç disa procesverbaleve në gjuhën franceze, ku policia bën relacionin e gjetjes së trupit dhe transportit për në vendlindje, nuk ka asnjë tjetër informacion nga pala franceze.
Familjarët thonë se nuk dinë ku të shkojnë e të kërkojnë informacion, aq më pak të lidhen me policinë e Francës së largët, duke ngelur kështu të izoluar në akthin torturues të pyetjes: “Kush e vrau Silvanën?”
-“A e dini ju se kush ua vrau vajzën? Nëse jo, keni ndonjë ide se kush mund të ketë gisht?”
Pyetjes së drejtpërdrejtë të Julie-s, babai dhe i vëllai janë gati t’i japin një përgjigje, pas një frymëmarrjeje të thellë dhe pikërisht kur bëhen gati ta nxjerrin me zë të fuqishëm, ndalen përnjëherësh të dy dhe të dorëzuar përgjigjen: Jemi të pafuqishëm!
Ta dinë vallë dhe kanë frikë të flasin? Apo njohin gjurmët që të çojnë deri te shkaqet e krimit? Këto pyetje më shoqërojnë teksa përpiqem t’u lexoj shikimin.
“Vajzën ma vranë ata që e dërguan andej. B.E e di kush, por ajo nuk tregon!”-thotë i ati.
Pak metra larg shtëpisë së tyre ndodhen varrezat e fshatit ku gjendet sot trupi i Silvanës. Kalojmë mespërmes oborrit të shtëpisë, me ngulmimin e Mehmetit për të parë bagëtitë që po rrisin dhe ngjisim një tatëpjetë kodre, ku prehen tëparët e fshatit.
Pas 3 vitesh, ende nuk kanë mundur t’i vendosin një qivur, por vetëm një pllakë me emrin dhe datën e groposjes së trupit, jo datën e vdekjes.
“S’ia kemi bërë qivurin, se nuk na del. Nuk kemi shlyer akoma borxhin që morëm për ta sjellë”- thotë e ëma ndërsa mban në dorë një shishe uji, që e zbras mbi lulet e vendosura në vend të një gurri varri.
Babai ka dhe një merak që e mundon së tepërmi: Mos abuzoni me emrin e vajzës time! Ndihet i vrarë nga një gazetare që u pati shkuar në fshat, ditët e para. Nuk e mban mend emrin e televizionit..
“Ajo doli dhe tha që vajza ime kishte qënë prostitutë edhe në Itali, edhe në Greqi. Kur vajza ime, në Greqi shkoi te njerëzit e mi për punë se nuk kishim bukë”, thotë Mehmeti.
E kaluara e Silvanës ka qënë e vështirë, mes përpjekjeve për një jetë më të mirë dhe për të qënë krah ndihme për familjen. Pas ndarjes nga bashkëshorti i saj, Joti me të cilin pati dy fëmijë, ajo krijoi një lidhje intime me një 42-vjeçar nga qyteti i Ballshit, i cili jetonte në lagjen “11 Janari” në Fier. Por pak kohë pasi kishte krijuar këtë lidhje të re, 42-vjeçari Nuri Ç. është vrarë në mes të fshatit Havaleas, në prani të së dashurës së tij.
Rrethanat e ngjarjes janë sqaruar në një vendim të gjykatës, ku autori i dyshuar i vrasjes është dënuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me 12 vjet heqje lirie, nga të cilët i duhet të vuajë 8, pasi ka përfituar uljen e një së tretës së dënimit nga gjykimi i shkurtuar.
Në vendim thuhet se i gjykuari Sokol M., banor i qytetit të Fierit, ishte njohur me Silvana Beqirajn nga fshati Havaleas dhe si rezultat i kësaj miqësie, i ka kërkuar asaj hua shumën prej 3500 eurosh. Por ka kaluar disa kohë dhe i gjykuari nuk ia ka kthyer këtë shumë, edhe pse Silvana ia ka kërkuar vazhdimisht. Ndërkohë, në muajin maj 2011, ajo është njohur dhe ka krijuar lidhje intime me viktimën Nuri Ç. Në vendim thuhet se ajo i ka kërkuar ndihmë të dashurit për të marrë paratë nga Sokol M..
Rreth orës 18:00 të 9 Korrikut 2011, Nuri Ç. dhe e dashura e tij Silvana Beqiraj kanë shkuar në fshat, pasi kjo e fundit do të shkonte në shtëpinë e saj.
Kur ka parë të atin në rrugë, ajo ka zbritur dhe ka vazhduar drejt banesës e saj. Në këtë moment, Sokoli ka parë Nuri Ç. dhe ka dalë nga lokali së bashku me shokun e tij Sh. M. e ka filluar të debatojë me të duke u fyer reciprokisht. Gjatë këtij debati viktima nuk ka dalë fare nga makina e tij, ndërsa i gjykuari ka hapur bagazhin e makinës së shokut të tij nga ka marrë një armë gjahu, duke qëlluar fillimisht në ajër.
Më pas e ka futur armën në brendësi të makinës, duke shpuar me të viktimën e duke i thënë të dilte nga autovetura për t’u sqaruar. Viktima nuk ka dalë me gjithë insistimin e të gjykuarit dhe në këtë moment ky e ka qëlluar e më pas ka shtënë edhe një herë në ajër. Autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja dhe ka hedhur poshtë armën. Ndërkohë, 42-vjeçari Nuri Ç. është shoqëruar për në spital ku edhe ka vdekur më vonë si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e gjahut.
Për aq kohë sa ende nuk ka rezultate hetimore që të vendosin pikat mbi i, nuk mund ta themi me siguri lidhjen e së shkuarës së Silvanës me shkaqet e vdekjes së saj. E as të ushqejmë pa fakte, idenë se Silvana u vra për shkak të punës që kryente prej tre vitesh në Francë.
Por një gjë është ulëritëse: Më e madhe se sa dhimbja e familjarëve për humbjen e vajzës, është tortura e pamundësisë për të mësuar kush ua vrau?
Siç do të thoshte e ëma: Vajza më iku, nuk kthehet më, por të paktën ta di kush ma vrau?
Koha kalon dhe këtë Shtator mbushen tre vite nga vdekja e Silvanës, por rasti i saj fle në dosjet e një sistemi drejtësie ku vegjetojnë avokatë e prokurorë, që sot, me emër e mbiemër njihen edhe si biznesmenë të betonit dhe ndërtimit në Fier.
Pamundësia ekonomike ia ndalon familjarëve komunikimin dhe interesimin në shtetin francez,sikurse ndihen të pafuqishëm para një sistemi ku gjejnë zgjidhje më të fortët, por jo më të dobëtit.
Silvana ka lënë pas dy fëmijë të vegjël, djalë dhe vajzë, që përfitojnë secili një asistencë prej 90 mijë lekësh të vjetra secili, asistencë për të cilën gjyshja thotë se luftuan për një vit rresht teksa përpiqeshin të fitonin kujdestarinë ligjore për ta.
Ajo vazhdon të përlotet kur L.R, që komunikon shpesh me djalin e vogël të Silvanës, u thotë: Ai është inteligjent, por duhet trajtuar me kujdes. A e dini ju, se ai është një fëmijë që pa dijeninë tuaj, shkon i vetëm te varri i nënës së tij ???
“Duhet të shihni përpara dhe të mendoni pikërisht për fëmijët e Silvanës. Duhet ta kuptoni që do të vijë një moment kur rrjedha e jetës do t’i çojë gjërat në vendin e vet për të sjellë qetësi në jetën tuaj…”- I drejtohet të vëllait.
Ai e sheh në sy, nuk bën zë dhe ul kokën…
Heshtja e tij, është përgjigja e dilemës që më përfshin, nëse mund të ketë qetësi pa drejtësi…?!
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2681″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]