Biznesmeni shqiptar Ardian Xhillari, i cili akuzohej vazion fiskal, kontrabandë, falsifikim dokumentesh e abuzim me detyrën është dënuar sot me 15 vite burg, por do të vuajë vetëm 10 vite falë gjykimit të shkurtuar.
Biznesmeni Xhillari akuzohet për fshehje të të ardhurave, mospagim të taksave dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Ardian Xhillari dyshohet se është organizatori i skemës, ku është shitur një sasi nafte virxhin prej 4.4 milionë litra pa paguar taksat.
Emri i tij u bë i njohur në publik për shkak se policia e shpalli në kërkim për skandalin e naftës Virxhin. Ky biznesmen, pronar i kompanisë “Tea Construction & Petrol” dyshohet se ka hedhur në treg mijëra ton naftë të papërpunuar duke shkaktuar dëm të madh automjeteve e mjedisit.
Sakaq miliona euro taksa nuk janë derdhur në arkën e shtetit.
Kompania e krijuar në vitin 2006 ka patur një bilanc negativ madje në vitin 2012 ajo e kishte mbyllur me humbje, por në vitin 2013 kur ndryshoi qeveria kompania e Xhillarit e rriti fitimin neto në vlerën e 5.9 mln lekëve. Xhiro e saj vjetore për vitin 2013 llogaritet në 8.7 miliardë lekë. Ndërsa në vitin 2014 ajo ka një xhiro pak më të ulët se sa viti 2013. Kjo kompani dyshohej se kishte tregtuar naftë të papërpunuar virxhin.
Prokuroria e Fierit e kishte shpallur në kërkim Xhillarin pas disa muaj hetimesh ndërsa nxorri urdhër arreste për 7 zyrtarë të doganave, përfshirë edhe ish-zv.Drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave.
Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit, në bazë të materialit referues të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ka rezultuar se kompania e shtetasit Xhillari ka marrë lejen nga autoritetet doganore për të transportuar naftën “virxhin” në pronësi të kompanisë së tij, nga depot e Mëzezit, Tiranë, për në depot pranë rafinerisë së përpunimit të naftës, në Ballsh.
Por, rezulton se kjo sasi nafte (4.4 milionë litra), e cila nuk lejohet të dalë në treg pasi është e cilësisë bruto, nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke u shitur në treg të lirë.
Krahas pasojave shumë të mëdha në mjetet e qytetarëve, “zhdukja” e kësaj sasie të madhe nafte, i ka shkaktuar shtetit një dëm që llogaritet në mbi 2 milion euro nga shmangia e pagimit të akcizës. Adrian Xhillari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar u arrestua në Frankfurt të Gjermanisë. Procesi gjyqësor ndaj biznesmenit të naftës është zhvilluar në mungesë, sepse Xhillari ishte larguar nga Shqipëria pasi u zbulua skema e mashtrimit.
(B.H/Faxweb)