Ai quhet Soraldo Nebo. Është 27 vjeç dhe është i dashuruar me Mbretëreshën e Liqenit. Pavarësisht emrit ekzotik është shqiptar dhe i rritur në detin Jon.
“Jam rritur duke parë midhjarët të ankoheshin, pasi midhja nuk kishte vëmendjen që meritonte. Kam menduar gjithmonë çfarë mund të bëj unë për Mbretëreshën. Sepse turistët mendojnë vetem si ta shijojnë, jo si ta njohin e duan.
Me shtimin e turistëve në Ksamil, mendova që turizmi është çelësi për ta shpëtuar e promovuar, Mbretëreshën e Liqenit. Dhe turi ishte gjëja e duhur, pasi në këtë mënyrë turistët shohin ku rriten midhjet, i pastrojnë vetë ato dhe më pas i shijojnë. Ndër të tjera, njihen me banorët e zonës, mësojnë të njohin e duan Liqenin e Butrintit.
Turin e midhjes e nisa para tre vitesh, me një çift norvegjezësh. Vetëm ne të tre. Qe një eksperiencë e paharrueshme. Në fund më thanë fjalë shumë të mirë, sepse e shijuan shumë. Dhe kjo gjë më dha shtysën, që unë të investoja në këtë ide, pasi e ndjeja që do të kishte sukses.
Rashë dakord me varkëtarët, për t’i marrë me qira varkën, bashkë me kapitenin. U lidha me një biznes, i cili kishte impiantet te Liqeni, për të marrë midhjet dhe e të përdorja ambjentet e tyre, për t’i gatuar këto midhje.
Me turin fillojmë sapo vijnë turistët, në fillim të muajit maj, qershor, korrik gusht, e më pak në shtator. Çdo ditë organizoj grupe të vogla turistësh, me 4-5 persona. Qëllimisht kam zgjedhur të punoj kështu, pasi dua që t’i jap vemendjen e duhur secilit prej turistëve.”
Veçantia dhe autenticiteti i turit nis sapo hipim në varkën “Sanall”, historia e të cilës të kthen në vitet e komunizmit, kohë në të cilën ajo u ndërtua, posaçërisht për Liqenin e Butrintit.
“Unë gjithmonë kam refuzuar në përdorimin e varkave plastike. I gjithë turi është të tregojmë identitetin e Ksamilit dhe Sanall ka shumë histori. Varkat “Sanall” janë për kapacitet të vogël njerëzish. Ndaj, shumë shpejt do të kemi në dispozicion edhe “Dallgën”, e bërë me punim dore. Kapaciteti i saj është 8+2 persona.” -thotë për dritare.net Soraldo, teksa i jep çiftit gjerman jelekët e shpëtimit.
Varka “Dallga”
Pasi nisemi nga porti, shkojmë në impantet, ku shohim procesin e kultivimit të midhjes. Impiantet janë ndërtuar gjatë komunizmit. Pavarësisht, se çdo vit, është qeveria ajo që ia jep me qira banorëve, ato përsëri janë të dëmtuara, duke ia vështirësuar shumë kultivimin midhjarëve. Ndërkohë, ne marrim me vete disa prej këtyre midhjeve. Teksa shkojmë te një plazh i virgjër, bëjmë të njëjtën gjë si banorët, i pastrojmë, duke i fërkuar me njëra-tjetrën.
“Nuk kisha menduar ndonjëherë se do të pastroja midhjet, as nuk e dija si bëhej. Në fillim isha skeptik për këtë tur, pasi mendoja e çfarë të veçante do të kenë midhjet. Por, u gabova. E gjitha kjo është një eksperiencë e mrekullueshme,”- thotë Hahn, i vendosur për të pastruar më tepër midhje se pjesa tjetër në varkë.
Turi i Midhjes, ngjan si një rimishërim i pikturës së Louis Dupré, ku Ali Pashë Tepelena është duke shëtitur me varkën e tij në Liqenin e Butrintit. Edhe Napoleoni Turk, çdo vit vizitonte liqenin, për të shijuar bukuritë e zonës, e për tu takuar me Mbretëreshën e liqenit të Butrintit.
“Kjo zonë është e mbushur me histori e mite. Psh. sipas gojëdhënave, Ksamili është një krijesë e bukur e liqenit dhe detit, e cila mbretëron këtë vend. Historia nis me Heksën, rosa e bukur e liqenit të Butrintit dhe Amili, kali i detit Jon. Të dashuruar me njëri-tjetrin, por e pamundur të ishin bashkë, pasi jetonin në dy habitate të ndryshme. Ndaj Amili ndërmerr një ekspeditë së bashku me kuajt që jetonin në bregun përballë ishujve dhe kështu ata ndërtojnë kanalin e Vivarit, për të lidhur detin me liqenin. Heksa takohet me Amilin, qëndrojnë së bashku në ujëra të ndërmjetme për një vit dhe në atë kohë, Heksa lindi Ksamilin,”- rrëfen me pasion Soraldo, teksa përgatit midhjen krudo, me vaj ulliri, limon e majdanoz. Kurse mënyra e dytë me të cilat ofrohen midhjet janë të ziera me avull, shoqëruar me një gotë verë të bardhë shtëpie.
Zbritja e diellit sjell edhe përfundimin e turit, i cili zgjat rreth dy orë e gjysmë. Teksa kthehemi për në port, Sophie, me kureshtjen prej gjermane, kërkon të njohë sa më shumë nga Shqipëria, ku herë shpjegon Soraldo, e herë të tjera, kapiteni, Denisi.
“Turin e Midhjes, e pamë në Tripadvisor dhe të gjitha komentet ishin shumë pozitive, një përvojë që nuk duhej humbur. Mua më pëlqen të mësoj gjëra të reja dhe djemtë dinë ta bëjnë shumë mirë këtë punë, nuk janë aspak të sforcuar. Dhe sot ishte një ditë me shumë informacione të cilat nuk i dija, kam qeshur shumë, hëngra disa midhje të mrekullueshme, piva verë shumë të shijshme dhe admirova pamje kaq të bukura. Kur të kthehem në Gjermani do ia sygjeroj të gjithë miqëve të mi, Ksamilin e veçanërisht Turin e Midhjes. Të mos nisen me paragjykime për Shqipërinë, si ne, pasi pavarësisht gjithçkaje, natyra juaj mbulon çdo difekt që vjen nga njeriu,”- thotë për dritare.net Sophie, teksa largohet e mahnitur nga kjo eksepriencë e re.
Për Soraldon është shumë e rëndësishme që edhe djemtë e vajzat e reja, të kultivojnë dashurinë për Ksamilin. Ndaj, i propozoi drejtorit të gjimnazit në Ksamil, që orën e punëve komunitare ta zëvendësonin me komunikim turistik.
“Nxënësit që janë më mirë në anglisht dhe kanë dëshirë të merren me turizmin, unë i propozoj të bashkëpunojnë me mua e të trajnohen. Siç, është rasti i Denisit, kapitenit të varkës, apo Mandit, që punon te informacioni.”
Denisi është vetëm 18 vjeç, e krahas punës si kamarier, zgjodhi të punojë edhe si kapiten i varkës “Sanall”. Gjithmonë i qeshur dhe me një përgjigje për çdo pyetje të turistëve. Edhe pse pret të vazhdojë studimet për ekonomi, është i vendosur të mos heqë asnjëherë dorë nga zhvillimi i turizmit në Ksamil.
“Qëkur Soraldo ma propozoi si ide në qershor, më pëlqeu shumë. E pashë si një ndihmesë të madhe për mua, në përmirësimin e gjuhëve të huaja dhe kontakti me të huajt është shumë ndryshe. Por, me këtë tur ne i shërbejmë edhe vendasve, direkt dhe indirekt. Përfitojnë banorët që merren me kultivimin e midhjes, si edhe me ardhjen e sa më shumë turistëv, rritet mirëqenia e komunitetit.
Unë nuk e konsideroj si punë, për mua Turi i Midhjes është kënaqësi. Unë jam rritur në Liqen dhe të mundem të bëj diçka për ta ndihmuar, është një ndjesi shumë e veçantë.
Shumica e adoleshentëve kërkojnë të ikin nga vendi, sepse thonë që Shqipëria nuk bëhet. Por, harrojnë që vendin e bën ti vetë. Prandaj, nëse ti vërtetë e do vendin tënd, duhet të nisësh ti i pari të bësh diçka për të, e jo të presësh nga të tjerë. Dhe promovimin e turizmit mund ta bëjmë të gjithë, nuk ka rëndësi mosha apo ku ndodhesh. Mjafton të gjesh mënyrën e duhur.”
Mandi sapo mbaroi vitin e parë të gjimnazit, por puna nuk e ka trembur asnjëherë. Prej dy vitesh punon te zyra e informacionit, ku pret turistët dhe më pas është ai i cili, i udhëzon si të kalojnë pushime sa më të bukura. E nis ditën e punës në orën 9:00 deri në orën 13:00, më pas përsëri në 17:00 deri rreth orës 20:00. Gjatë kohës së pushimit, shkon në plazh, pasi edhe shokët e tij,
“Ky është vitit i dytë që unë punoj te informacioni. Aldo e propozoi si ide që unë të vija, pasi e njoh shumë mirë anglishten. Duke qenë se mua më pëlqen shumë të flas me turistët, të jap sygjerime, pranova.
Kur turistët nuk kuptojnë anglishten merremi vesh me shenja, ose i tregoj fotografitë. Pasi, nuk dua që pushuesit të largohen pa ia treguar vendet që duhet të vizitojnë në Ksamil.
Turistët më tepër kërkojnë informacione lidhur me Ksamilin, vendet ku mund të shkojnë, restorantet. Më pas, unë i sygjeroj plazhet më të bukura që janë përreth Ksamilit, vende si Butrinti, ose turet e ndryshme, ku më i preferuari është ai i midhjes.
Këtë vit më shumë kanë ardhur turistë polakë, italianë dhe kosovarë, sigurisht që ka edhe nga nështetësi të tjera.
Mua më pëlqen shumë puna dhe kjo nuk është punë e rëndë të cilën nuk mund ta përballoj. Për tani, jam i lumtur edhe për lekët të cilat arrij t’i marr vete. Turizmi është një fushë ku merr shumë kënaqësi, si shpirtërore, por pse jo, edhe monetare,”- thotë Mandi për dritare.net.
Për Soraldon asnjeherë nuk është mjaftueshëm promovimi i turizmit. Ndaj gjithmonë është në kërkim të ideve të reja, origjinale, në mënyrë që turistët të respektojnë dhe krijojnë një lidhje emocionale me Ksamilin, vendin e ngjyrave.
“Projekti i ardhshëm ka të bëjë me Festën e Midhjes, e cila më parë është organizuar nga Bashkia e Sarandës, por këtë vit u neglizhua e nuk u bë. Ndaj, ne nuk kemi arsye pse të presim nga Bashkia, por ta organizojmë ne në Ksamil. Mua nuk më pëlqen kur për festat tradicionale, ftohen këngëtarë të ndryshëm, konsumohen midhjet, bëhet pak rrëmujë dhe kaq. Por, Festa e Midhjes, duhet të zgjasë një javë dhe çdo ditë të ketë një tematikë, si prezantimi i midhjes, turi i midhjes, pastrimi i portit e liqenit të Butrintit, krijimi i punimeve të dorës të bëra me guackën e midhjes, etj.
Unë e quaj Ksamilin “vendi e ngjyrave”, pasi këtu, gjatë gjithë vitit ka fruta, ishujt janë plot me lule e pemë, shtuar këtu ngjyra e kristaltë e detit, që nuk ndryshon asnjëherë. Ndaj, Ksamili është me ngjyra, me alegri, diell, këtu fillon jeta e bukur. Jeta e dashurisë, sepse Ksamili është i lindur nga dashuria e pazakontë e Heksës dhe Amilit.”/dritare.net