Ekzekutimi me eskortë të hapur dhe në mes të njerëzve në Tiranë, i ish-efektivit të policisë së Tiranës Santiago Malko nga klani “Duka”, dyshohet se është kryer nga një killer me pagesë nga Vlora. Për të hedhur dritë mbi biografinë e Fatmir Hysenit, policia e kryeqytetit ka kërkuar të shkëmbejë informacione me policinë e Vlorës.
Fatmir Hyseni, që dyshohet nga policia dhe prokuroria e Tiranës se ka qëlluar me kallashnikov drejt Malkos, besohet se është kontraktuar nga vëllezërit Erlis dhe Leonard Duka, duke u mbështetur më pas nga anëtarët e tjerë të skuadrës Oltion Loga, Dritan Agaj, Ervis Metani, Ilir Selmani dhe Bledar Teta.
Momentalisht i vetmi që është arrestuar për këtë ngjarje është Bledar Teta, i cili ka qënë pjesë e vëzhgimit të Santiago Malkos, ndërkohë pas krimit në ikje e sipër Teta, sipas prokurorisë ka thyer telefonin dhe kartën SIM, duke asgjësuar të dhënat dhe bisedat brendat tij. Ndërkohë nga operacioni policor për kapjen e këtyre personave është sekuestruar dhe një mjet i blinduar që përllogaritet me vlerë 700 mijë euro.
Nga informacionet operative që policia e Tiranës ka mbledhur lidhur me vrasjen e Santiago Malkos ka rezulton se klani “Duka”, ose siç njihet ndryshe në Tiranë si “banda e Romëve”, ka kontraktuar Fatmir Hysenin nga Vlora pjesë e “grupit të Çamëve” për të eleminuar fizikisht, Santiago Malkon, ky i fundit shok i biznesmenit të lojrave të fatit Ervis Martinaj. Hyseni dhe Elvis Gaçaj ose “Gabeli”, ky i fundit pjesë e klanit “Duka” dyshohet se janë qitësit me automatik në drejtim të Santiago Malkos, i cili pasi është rrethuar është qëlluar për vdekje me 9 plumba në trup.
Kush është “Doqja” kunati i “Didit” të Vlorës e hasmi i Viktor Ymerit
Hyseni njihet në Vlorë me nofkën “Doqe” dhe ka një të kaluar kriminale dhe është dyshuar si një nga bashkëpuntorët e vrasjes së vëllait të Viktor Ymerit në Vlorë, ose siç njihet ndryshe në këtë qytet si “Tori i Xhihanes”. Sipas informacioneve që policia e Vlorës ka referuar në policinë e kryeqytet për Fatmir Hyseni, vrasja e vëllait të Viktorit ka ndodhur në Vlorë në vitin 1999, dhe ai ashtu si dhe vetë Viktori, ka qënë daja i Edison Harizaj, i konsideruar në Vlorë si “i paprekshmi”, por i vrarë me 52 plumba në 7 nëntor 2018 në dalje të Durrësit, ku së bashku me të mbeti i vrarë dhe Genci Caci.
Ka rezultuar se Fatmir Hyseni është çam, dhe kunati i Dritan Veselit ose siç njihej ndryshe në qytetin bregdetar si “Didi i Vlorës” ose “Didi Çami”, i vrarë në 14 shtator 2004 në Vlorë. Hyseni dhe “Didi” cilësohen nga policia dhe prokuroria si kundërshtarët më të mëdhenj të Viktor Ymerit dhe Edison Harizajt, ky i fundit i vrarë, ndërsa Viktori, vijon të vuajë dënimin me 24 vite burgim në burgun e Peqinit për vrasjen e Gëzim Muçës dhe plagosjen e Taulant Maskës në rrugën“Via dellaTraversa del Grill” në Romë.
Ky dënim është dhënë nga gjykata e Romës në Itali dhe është njohur nga gjykata e Elbasanit. Sipas vendimit italian Viktor Ymeri(Imeraj) allias Tomor Ncucaj, në bashkëpunim me një person tjetër, në 12 shkurt 1996, rreth orës 20:00,në rrugën “Via dellaTraversa del Grill” në Romë, ka qëlluarme armë zjarri mbi mjetin “BMW”, brenda të cilit ndodheshin Gëzim Muça dhe Taulant Maska,duke sjellë vdekjen e Gëzim Muça dhe plagosjen e Taulant Maska.
Taulant Maska ka arritur të shpëtojë duke u larguar me vrap nga mjeti ku ndodhej. Viktori ka marë dhe një dënim tjetër të cilin thuajse e ka kryer me 25 vite burgim për vrasjen e Arben Pajësdhe Ilir Xhungës në Durrës, dy anëtarë të bandës së Durrësit. Si pasojë e hasmërisë të krijuar mes familjeve Harizaj-Ymeri dhe Veseli, tre vëllezërit Veseli janë vrarë në kohë dhe vende të ndryshme në Vlorë.
Pas vrasjes së vëllëzërve Veseli rolin komandues dhe etjen për hakmarje, duket se e ka marë Fatmir Hyseni ose “Doqja”, i cili ka lidhur aleancë dhe ka krijuar besnikëri me dy personazhe që dikur kanë qënë pjesë e grupit të “Gaxhait” në Vlorë, Armando Sulejmanin ose “Çipuri” dhe Sokol Sinomatin ose siç njihet ndryshe në Vlorë si “Buzderi”. Çipuri i ka shpëtuar disa atentateve në Vlorë, ku i fundi ka qënë në 17 shkurt 2019 kur Armando Sulejmani, është qëlluar me 78 plumba, por nuk është vrarë dot nga kundërshtarët, falë edhe kundërpërgjigjes me pistoletë që ka bërë Sulejmani.
Por në këtë atentat u bënë shoshë nga plumbat Arian Hasanaj dhe Resti Renxho. Momentalisht Çipuri ndodhet në burg për akuzën e mbajtjes pa lejë të një pistolete, ndërsa Sokol Sinomati dhe Fatmir Hyseni vijojnë të qëndrojnë të lirë, duke u dyshuar si pjesëmarës në disa ngjarje të rënda kriminale.
Klani “Duka”,si i mbylli hesapetme drejtësinë për armën “Glock” e 68 plumba
Një pistoletë tip “Glock”, 68 plumba luftarakë dhe një sasi e vogël hashashi, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të lënë në burg katër personat e arrestuar në 8 prill 2019 në kompleksin “Halili” në Tiranë.Leonard Duka, Oltjan Loga, Elvis Gaçaj dhe Dritan Agaj, janë lënë nga gjykata e Tiranës me masën e “arrestit në shtëpie”, ndërkohë që prokurorja e çështjes vetëm për njërin prej tyre, Oltian Logën kishte kërkuar “arrest në burg”, ndërsa për tre të tjerët ka kërkuar masën e “arrestit në shtëpi”. Ndërkohë ky vendim mësohet se është ndrshuar në gjykatën e Apelit Tiranë, duke i lënë të lirë të arrestuarit. Leonard Duka, Oltjan Loga, Elvis Gaçaj dhe Dritan Agaj u arrestuan nga grupi i Operacionales, falë një ndërhyrje të policisë, në një apartament tek kompleksi “Halili”, pasi në rrugë operative ishte marrë informacioni se aty kishte persona të armatosur.
Por teksa policia ka shkuar brenda në apartament, njëri nga katër personat mendohet se ka hedhur pistoletën tip “Glock” nga ballkoni në çatinë e shtëpisë së një banori që rezultoi të mos kishte lidhje me ngjarjen.Në ditën e ndërhyrjes, pra në 8 prill 2019, policia nuk ka mundur të sekuestrojë armën, por ka sekuestruar 68 fishekë luftarakë në një sirtar në banesë dhe shumë plumba në ballkonin e një subjekti privat. Ndërkohë janë arrestuar Leonard Duka, Oltjan Loga, Elvis Gaçaj, Dritan Agaj dhe bashkë me ta, në policinë e Tiranës është shoqëruar dhe ish-miss Univers Albania 2018, Trejsi Sejdini.
Kjo e fundit pasi ka dhënë shpjegime është lënë e lirë, ndërkohë ndaj katër të arrestuarve është kërkuar mbajtja në qeli. Kjo për shkak, jo vetëm të gjetjes të fishekëve luftarakë, drogës por edhe se një ditë më pas, në 9 prill 2019 është gjetur në çatinë e një banese private një pistoletë “Glock” që dyshohet se i përkiste të arrestuarve.Pikërisht kjo pistoletë është konstatuar nga një banor i rrugës “4 dëshmorët” i cili është paraqitur në policinë e Tiranës dhe ka dëshmuar se:“…më datën 9 prill 2019 rreth orës 09:00 kam konstatuar se tavani i dhomës ishte i lagur dhe pikonte shumë nga shiu që binte jashtë.
Kam dalë jashtë dhe kam parë mbi tjegullat e çatisë se gjendej një pistoletë me ngjyrë të zezë dhe tjegulla të thyera pranë saj, pikërisht në vendin ku pikonte çatia. Meqënëse, një ditë më parë kisha dëgjuar lajmet se policia kishte arrestuar disa persona që kishin qenë në një apartament në kompleksin “Halili”, i cili gjendej pranë banesës time, kam njoftuar policinë në lidhje me armën e gjetur…”.Veç armëve policia ka sekuestruar dhe dy BMË me targa ruse dhe një automjet tip “Benz”. Në lidhje me këtë ngjarje është pyetur si person që ka dijeni për situatën penale ish-miss Univers Albania 2018 Trejsi Sejdini e cila është e dashura e Leonard Duka dhe në momentin e ndërhyrjes së policisë, u gjet në banesën e tij./Elton Qyno