Të tjera detaje të reja zbulohen në lidhje me apartamentin e sekuestruar nga gjykata e Kurbinit në zonën e Kasharit në Tiranë pas kërkesës së Prokurorisë, ku pronar rezulton Gjon Gjezaj.
Ky i fundit rezulton i arrestuar në Spanjë për vjedhje dhe pastrim parash ndaj edhe pasuria e tij duket e dyshimtë.
Sipas mediave spanjolle, Gjon Gjezaj është pjesë e një bande shqiptarësh, e cila akuzohet për grabitjen e të paktën 35 banesave të dokumentuara në zonën e A Coruña.
Po ashtu, grabitjet në fjalë janë kryer mes datave 6 nëntor 2015 dhe 14 mars 2016. Gjon Gjezaj, Emilian Gjezaj dhe Anastas Osmani, të cilët ishin bashkëpunëtorë, janë dënuar në Spanjë me 7 vite burg gjithsej.
Mirëpo pasi të tre kanë pranuar të bashkëpunojnë me autoritetet, atyre u është ulur dënimi. Sipas marrëveshjes, tre shqiptarët duhet të kompesojnë deri në 100% viktimat që kanë grabitur, në një shumë prej 48 mijë eurosh, nga të cilat deri tani janë paguar 27.430 euro.
Pasi të kryejnë pagesën e plotë, ata mund të lirohen dhe do dëbohen nga Spanja. Midis dëmeve që ata duhet të paguajnë janë edhe shkatërrimet e dritareve apo dyerve, në momentin që hynin në banesa. (D.D/Shuplaka)