Prej një orësh ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u paraqit sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për t’u njohur me masën e bllokimit të pasaportës së tij, ç’ka e ndalon atë të dalë nga vendi. Gjykatësja e cila është përballur me të është Liljana Baku, e cila ka marrë edhe vendimin final.
Baku është një gjyqtare e njohur që ka gjykuar çështje të rëndësishme penale. Ajo është gjyqtarja e çështjes së Nezar Seitit, i cili akuzohet si bashkëpuntor i Habilajve. Po kështu Liljana Baku ka gjykuar edhe çështjen “Xibraka”, ku ka refuzuar edhe kërkesën e Ermal Hoxhës vitin e kaluar për të kaluar “Vitin e Ri” pranë familjes.
Saimir Tahiri në dalje të Gjykatës u rrethua nga gazetarët po nuk preferoi të fliste duke thënë se do të kishte kohë edhe për këtë.
Vendimi i gjykatës që i ndaloi Tahirit daljen jashtë shtetit, jep në mënyrë kronologjike rrjedhën e hetimit të kësaj çështje, që nisi në Shqipëri ndaj Habilajve, me veçimin e dosjes për Treblovën. Në dosjen e Treblovës përmenden për herë të parë lidhjet e policisë me narkotarfikun.
Ndërkohë, gjithmonë sipas vendimit të gjykatës së krimeve të rënda që i ndalon Saimir Tahirit daljen jashtë vendit, në itali u ra në gjurmët e Habilajve që prej vitit 2012 pas operacionit antidrogë “Odisea”. Prokuroria përmend në kërkesën e saj përgjimet e bëra publike tashmë, ku të akuzuarit lakojnë emrin e ish-ministrit për t’i blerë një byzylyk me diamantë.
Prokuroria thotë se Saimir Tahiri i njeh Habilajt dhe si argument sjell daljet jashtë shtetit te tij me automjetin Audi që ndërkohë i ishte shitur Moisi Habilajt emri i Saimir Tahirit për herë të parë doli nga dosja e Habilajve e prokurorisë së Catanias.
(E.K/FAXWEB)