Kryeprokurorja ka shkarkuar nga detyra kreun e Prokurorisë së Tiranës Petrit Fusha, i komanduar nga Llalla në këtë funksion. Në vendin e Fushës është emëruar Dritan Rreshka. Dritan Reshka drejtues i komanduar në Prokurorinë e Tiranës.
Dritan Rreshka është diplomuar në vitin 2001 në Fakultetin e Drejtësisë, Tiranë. Nga viti 2001 deri në vitin 2004 ka ndjekur Shkollën e Magjistraturës duke marrë titullin “Magjistrat Prokuror”.
Pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, Tetor 2003 deri në Qershor 2009 ka ushtruar detyrën e Prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në Qershor 2009 është emëruar Drejtues i Njësisë së Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, detyrë të cilën e ka kryer deri në muajin Shkurt 2010.
Në muajin Mars 2010 është emëruar Drejtues i Njësisë së Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë deri në Janar të viti 2013 dhe aktualisht ushtron detyrën e prokurorit pranë kësaj Njësie.
Prej disa vitesh është Ekspert i Shkollës së Magjistraturës për trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve për çështjet e që lidhen me pastrimin e parave. Është çertifikuar nga NITA (National Institute of Trial Advocacy – US Department of Justice) si Trajner për aftësitë e Prezantimit të çështjes në Gjyq duke marre pjesë me cilësinë e ekspertes në trajnimin e studentëve magjistrat përsa i përket kësaj fushe.
Ka kontribuar në hartimin e teksit “Manual për hetimin e krimit financiar” botuar në vitin 2010 me mbështetjen e projektit OPDAT, Departamenti i Drejtësisë Amerikane.
Më herët Marku ka larguar nga detyra një nga emrat më të afërt të paraardhësit të saj Adriatik Llalla, Rovena Gashin.
Gashi ishte drejtoreshë për marrëdhëniet me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Në vend të saj është vendosur ish-kandidati për kryeprokuror Arqile Koça.
Prokurorja Rovena Gashi, e cila ishte në drejtim të kësaj Drejtorie, caktohet prokurore pranë Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Po ashtu shefe e re e kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme është zgjedhur Alketa Zyfia.
Burime nga Prokuroria e Përgjithshme kanë bërë të ditur se është zëvendësuar shefja e kabinetit të këtij institucioni.