Është grabitur gjatë natës prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Persona të paidentifikuar pasi kanë hapur derën forcerisht janë futur në ambjentet e brendshme të institucionit.
Burime nga policia bëjnë me dije se ata kanë hyrë në zyrat e prokurorëve dhe nga aty dyshohet që kanë marrë dokumente e materiale të ndryshme.
Paraprakisht mësohet se zyra që është grabitur është ajo e prokurorit Afrim Shehu, një nga dosjet të cilat ai i ka në shqyrtim është ajo e zyrtarëve të komunës Ishëm. Po ashtu burime thonë për ”Fax News” se grabitësit kanë marrë dhe kompjuterin e tij të punës.
Shehu prokuror i krimit ekonomik, ku sëfundmi krahas abuzimit me pronat, po hetonte edhe disa institucione të rëndësishme siç është porti, dogana, bashkia, hipoteka por edhe një serë grupesh kriminale të cilët dyshohen se ushtronin aktivitetin e pastrim parash.
Ndërkohë, po këqyren kamerat e sigurisë dhe po merren shenjat e gishtërinjve për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.
Ngjarja u konstatua nga pastrusja e cila sapo mbërriti konstatoi dëmtimin e derës duke njoftuar menjëherë policinë.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e dokumentacioneve të vjedhura nga prokuroria apo sendeve të tjera si dhe identifikimin e autorëve.
Ky është sulmi i dytë që i bëhet këtij institucioni. Më herët dy persona të paidentifikuar sulmuan postierin, duke i grabitën dokumentet sekrete të kësaj prokurorie.
(E.K/FAXWEB.AL)