Një superaksion antidrogë është kryer mbrëmë në Portin e Durrësit dhe Doganën e Qafë-Thanës. Në pranga kanë rënë 18 doganierë. Mes të arrestuarve është edhe Shëfi i Policisë së Portit të Durrësit Julian Doraci.
Ai ka qenë pjesë e drejtorive të policisë së Shtetit prej vitit 2004, ku ka mbajtur disa funksione si specialist krimesh apo në Drejtoritë Rajonale kundër Emigrimit të Paligjshëm.
Jo pak herë porti i Durrësit është parë si një pikë kalimi për trafikun e drogës drejt Italisë. Ditët e fundit sasitë e kapura të drogës janë shtuar si në vend por edhe jashtë saj.
Nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë njoftuar derimë tani vetëm emrat e të arrestuarve po nuk bëhet e ditur sesi ata kanë bashkëpunuar me tyre.
Ky hetim përfshin dy episode:
Rasti i parë, i ndodhur në datën 05.02.2017, kur në Itali u kap një kamion me 8 ton drogë, e cila kishte hyrë në Shqipëri nga Maqedonia nëpërmjet pikës doganore Qafë-Thanë dhe ka dalë nga pika e kalimit kufitar në portin e Durrësit. Për këtë rast, para pak javësh u arrestuan edhe 4 punonjës policie të Qafë-Thanës.
Rasti i dytë ka ndodhur në datën 24.03.2017, kur në Itali u kap një kamion me shofer shqiptar, me rreth 2.2 ton kanabis në bord.
Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të informacioneve të siguruara nga autoritetet italiane për kapjen e këtyre ngarkesave me lëndë narkotike, ka nisur hetimet, nga ku janë siguruar të dhëna, të cilat krijojnë dyshimet e arsyeshme për përfshirjen e zyrtarëve policorë dhe doganorë në trafikun e lëndëve narkotike.
Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, Prokuroria vlerëson se, bazuar në veprimet e punonjësve të policisë kufitare, të doganës dhe të agjentëve doganor, Qafë Thanë, si edhe atyre të Portit Durrës, Doganës Durrës dhe Doganës Tiranë, ekziston një formë e organizuar bashkëpunimi mes tyre për të realizuar kalimin e automjeteve kamion të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali.
Të dyshuarit e këtij hetimi janë të përfshirë në njërin ose në të dy episodet, të cilat janë pjesë e të njëjtit procedim penal. Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore për këtë rast, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasit:
- Ymer Blloshmi, doganier, përgjegjës turni, Qafë-Thanë
- Iliras Malja, doganier pranimi/verifikimi, Qafë-Thanë
- Maliq Kadilli, agjent doganor, Qafë-Thanë
- Kastriot Topulli, agjent doganor, Qafë-Thanë
- Gëzim Dervishi, specialist në Policinë e Portit Durrës
- Mexhit Xhixha, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
- Roland Metani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
- Agron Kapllani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
- Gentian Selmani, specialist, struktura anti-drogë, Policia e Portit Durrës
- Medi Demiri, kontrollor, Policia e Portit, Durrës
- Fatmir Plaku, kontrollor, Policia e Portit, Durrës
- Julian Doraci, Shef i Stacionit Policor, Porti Durrës
- Edmond Luzi, doganier eksporti, Porti Durrës
- Ylli Vogli, doganier peshore, Dogana Vorë (Tiranë)
- Vladimir Ziu, doganier regjimi, Dogana Vorë (Tiranë)
- Erald Kulla, agjent doganor, Dogana Vorë (Tiranë)
- Behar Sula, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës
- Nezir Bardhoshi, kontrollor hyrje-dalje, Policia e Portit, Durrës (E.K/SHUPLAKA)
![](http://faxnews.wpengine.com/wp-content/uploads/2017/04/Haki-Cako-375x400.jpg)