U qëllua nga polici italian me plumb në kokë mbrëmjen e së premtes në Monte San Giusto (Macerata, Itali), dhe tashmë ndodhet në vdekje klinike. E gjithë kjo ndodhi pasi tentoi t’i shpëtonte një kontrolli policor. Dyhet theksuar se shqiptari përdorte shumë emra, një ndër ta është Klodjan Hysa dhe është 35-vjeç. Sipas Corriere Adriatico shqiptari bashkë me dy persona të tjerë dyshohet se e kishin grabitur makinën me të cilën udhëtonin, prandaj nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar.
Prokurori i Macerata-s, Enrico Riccioni, ka hapur një dosje hetimi për përgjegjësinë e policit që hapi zjarr duke goditur në kokë grabitësin. Efektivi tani është nën hetim për plagosje të rëndë në kushtet e tejkalimit të vetëmbrojtjes së ligjshme. I shoqëruar nga avokati i tij polici ripohoi para autoritetve versionin e tij: “Ne e urdhëruam të ndalonte atë djalë. Por ai mori makinën dhe kërkoi të kalonte. Nuk doja të qëlloja, nuk doja ta qëlloja. Kurrë s’kam qenë në ndonjë shkëmbim zjarri, kurrë s’e kam tërhequr këmbëzën,”.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes në Monte San Giusto, Macerata, në Itali, teksa shqiptari është përpjekur t’i largohet dy policëve, pasi drejtonte një mjet të vjedhur. Por në një moment policia ka qëlluar në drejtim të tij, dhe plumbi i cili e ka prekur në kokë, ka bërë që i riu të bjerë në gjendje kome.
Sipas burimeve mjekësore nga spitali i Maceratas, ai është klinikisht i vdekur, dhe për këtë shkak nuk ka qenë e mundur që të ndërhyhet qofte edhe për të nxjerrë plumbin. Ai mesa duket kishte kryer një vjedhje dhe po mundohej të shpëtonte. (J.V/Shuplaka)