Kryeministri Edi Rama vijon sërish me thirrjen e tij “Kush gënjen?”. Për të 14-tën herë radhazi, Rama sulmon Partinë Demokratike se gënjen për mbështetjen që ndërkombëtarët kanë treguar për protestën e opozitës. Ai citon Eduard Kukan, europarlamentarin europian.
“KUSH GËNJEN?(14)
Eduard Kukan, europarlamentar i djathtë, mbështetës i Partisë Demokratike dhe një zë autoritar në Parlamentin Europian për Shqipërinë e rajonin:
Bojkoti i zgjedhjeve nuk është në të mirë të askujt. Ne u themi partnerëve tanë në Shqipëri se e vetmja mënyrë për t’ia dalë politikisht, është pjesëmarrja në zgjedhje, marrëveshja politike e të gjithë aktorëve të rëndësishëm që ulen për t’u marrë vesh se si të organizojnë zgjedhje të besueshme, të lira e të ndershme.
Unë vetëm mund të përsëris se prej ca kohësh jepen mesazhe të njëjta, pavarësisht se kush i dërgon ato, përfshirë edhe përfaqësuesit politikë në nivelin më të lartë: Bojkoti nuk është rrugë dhe as moslejimi i mbajtjes së zgjedhjeve nuk është rrugë. Ne gjithmonë u themi atyre (PD) se është e domosdoshme që ju të merrni pjesë dhe të dëshmoni se jeni të fortë politikisht në zgjedhje, në varësi të njerëzve që do të votojnë për ju.
…
Ne kemi rregulla të qarta për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe për këtë arsye, OSBE po dërgon vëzhguesit e saj e kjo do jetë e qartë.
…
Shpresoj se njerëzit nuk do të keqpërdoren politikisht, për ndonjë lloj manipulimi nga politikanët. Kjo është me rëndësi dhe nënkuptoj për shembull zgjedhjet lokale në Kavajë, më 7 Maj…”, shkruan Rama.