Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ka refuzuar të përgjiget lidhur me hetimet që kanë nisur në institucionin që ajo drejton për nxjerrjen e sekretit hetimor, lidhur me çështjen Dako dhe dosjen 339.
Imeraj tha se Prokuroria nuk mund të japë detaje për mediat, për një ngjarje që është nën hetim, duke vijuar kështu linjën e ndjekur nga kryeprokurorja Arta Marku dhe nga drejtuesit e Krimeve të Rënda.
Nën hetim për nxjerrjen e sekreteve hetimore, praktikisht audiopërgjimeve, dyshohet se janë prokurorët e çështjes dhe oficerët gjyqësorë, të cilët kanë pasur kontakte me dosjen 339/1, që lidhet me shitblerjen e votave në zonën e Shijakut dhe Durrësit.
Menjëherë pas publikimeve në Bild të audiopërgjimeve, pati një deklaratë kontradiktore nga dy prokurorët që kanë nën hetim dosjen 339, të cilët urdhëronin mediat që të mos publikonin asnjë material që lidhej me 339, pasi përbënin secret hetimor.
Por për shkak të presionit shumë të madh publik, gjatë ditës së djeshme pati një deklaratë të dytë, ku thuhej se ndalimi ishte për zyrtarët shtetërorë dhe jo për mediat.
(E.K/Faxweb.al)