Është mbyllur sot afati për aplikimet për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa kanë plotësuar dokumentacionet vetëm 4 kandidatë. Prokurori i ri pritet të zgjidhet në fundin e muajit Qershor dhe do të ketë një afat 7 vjeçar, ndërsa disa prej kompetencave të tij do të ndryshojnë, duke qenë se janë ngritur dhe disa struktura të reja, në sajë të procesit të Reformës në Drejtësi si SPAK apo KLP.
Do të jetë kjo e fundit ajo që do të marrë në shqyrtim dosjet e katër kandidatëve që janë: Olsian Çela, Arta Marku, Lulzim Alushaj dhe Fatjona Memçaj, dhe më pas 3 prej tyre që kanë pikët më të larta do t’i dërgohen Kuvendit.
Kujtojmë se mes Markut dhe Çelës pritet të jetë një garë e fortë, për shkak se mes tyre ka pasur dhe një përplasje direkte. Kryeprokurorja e Përkohshme me marrjen e mandatit të saj e delegoi Çelën në prokurorinë e Beratit, por KLP vendosi rikthimin e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe e konsideroi vendimin e Markut të jashtëligjshëm.
Ajo që e penalizon Çelën në këtë garë, është një nga kriteret që KLP ka me prioritet për kandidatët, që të kenë kaluar procesin e Vettingut. Çela derimë tani nuk e kaluar këtë proces, dhe nuk dihen ende arsyet se pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk i ka dhënë prioritet emrit të tij. Kjo duket se do të jetë dhe thembra e Akilit në këtë proces, që duket se me të gjitha gjasat, po e çon Markun drejt marrjes së një mandati të plotë në Prokurori.
Në rast se deri në 45 ditët e ardhshme Çela nuk kalon Vetingun, atëherë emri i tij nuk i dërgohet Kuvendit për votim.
Nga ana tjetër Lulzim Alushaj nuk është një emër i panjohur, pasi në pozicionin e avokatit ai ka dalë në skenë në mbrojtje të interesave të emisionit Top Story, që transmetohet në Top Channel, ndërsa nuk e ka kaluar ende procesin e Vetingut.
Prokurorja e Apelit në Tiranë Fatjona Memçaj nga ana tjetër është konfirmuar në detyrë verën e kaluar, duke u bërë kandidatja e dytë në këtë garë, që plotëson një nga kushtet kyçe të KLP-së.
Ajo ka përfunduar shkollën e magjistraturës në 2002 dhe gjithashtu ka mbaruar studimet për doktoraturë në Universitetin Middlesex, Londër.
Memçaj njihet si prokurorja që dënoi në apel Kastriot Ismailin dhe prokurorja që ka përfaqësuar çështje kundër korrupsionit. Fatjona Memcaj aktualisht është edhe Anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Arta Marku është një nga prokuroret më të kontestuara, për shkak të zgjedhjes së saj të njëanshme, me votat e vetëm mazhorancës.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post