Ditën e sotme Parlamenti i Shqipërisë ka votuar shkarkimin e Presidentit të vendit, Ilir Meta, për shkelje të kushtetutës kryesisht gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit.
Në sallën e Parlamentit ishin prezentë 115 deputetë, ndërkohë 7 deputetë kishin zgjedhur të të mos jenë në sallën e parlamentit këtë të mërkurë për arsye që nuk dihen. Ata janë Ambra Borova, Rudina Hajdari, Enada Kapllani, Korab Lita, Jetmira Raboshta, Olta Xhaçka dhe Fidel Ylli.
Pas miratimit të raportit, deputetët votuan pro shkarkimit të Metës me 105 vota në favor. Ndërkohë 7 deputetë votuan kundër dhe 3 deputetë abstenuan.
Kryeministri Edi Rama ishte ai që paralajmëroi shkarkimin e Presidentit Meta vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, duke deklaruar se Presidenti Meta ka dhunuar kushtetutën.
Më pas iniciativën për shkarkimin e Metës e firmosën 49 deputetë socialistë, duke ja kaluar Komisionit Hetimor, i cili dorëzoi raportin për shkarkimin e Metës në Parliament.
Ditën e sotme, ishin deputetët që votuan pro shkarkimit të Metës dhe në këtë mënyrë fati i Presidentit mbetet në dorën e Gjykatës Kushtetuese, kur i kanë mbetur edhe gati një vit në përfundimin e mandatit të tij (22 korrik 2022).
(E.H/Faxweb.al)